Suspendohet një polic pas incidentit për parking në një qendër tregtare
Foto: Laura Hasani

Suspendohet një polic pas incidentit për parking në një qendër tregtare

Kronika September 07, 2026 - 10:14

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka dhënë detaje për një incident të raportuar gjatë së dielës në një parking të një qendre tregtare, ku ishin përfshirë një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare (me gradën e kapitenit), si dhe dy qytetarë, njëri prej të cilëve i mitur.

Sipas IPK-së, incidenti dyshohet se ka nisur pas një mosmarrëveshjeje lidhur me parkingun, ndërsa personat e përfshirë më pas janë shoqëruar në objektin policor për trajtimin e rastit.

“Gjatë trajtimit të këtij rasti, në IPK janë ngritur pretendime për tejkalim të autorizimeve policore nga një zyrtar tjetër policor ndaj njërit prej qytetarëve të përfshirë në incident.

Bazuar në informacionet fillestare të pranuara nga hetuesit e IPK-së, njëri nga personat e përfshirë ka pretenduar se pas shoqërimit në polici, ndaj tij është përdorur forcë nga një zyrtar policor në stacionin policor të Graçanicës”, thuhet në komunikatë.

Lidhur me këto pretendime, IPK-ja njofton se pas hetimeve të kryera një zyrtar policor i dyshuar për keqtrajtim është suspenduar.

“Hetimet ndaj qytetarëve të përfshirë do të vazhdojnë të ndërmerren nga Policia e Kosovës në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin kompetent në drejtim të veprës penale të sulmit kurse ndaj zyrtarit policor (me gradën e kapitenit) veprimet hetimore do të ndërmerren nga hetuesit e IPK-së me dyshimin për veprën penale të kanosjes”, thuhet ndër të tjera. /Zëri