Arrestohet hajni tjetër që po kryen vjedhje nëpër vetura

Arrestohet hajni tjetër që po kryen vjedhje nëpër vetura

Kronika July 16, 2019 - 15:48
Lexo tjera detaje

Policia Rajonale e Prishtinës brenda javës ka bërë arrestimin e dy personave të cilët kanë kryer dhjetëra vjedhje të rënda, kryesisht nëpër vetura.

Njëri arrestim është kryer në Prishtinë e tjetri në Drenas.

Mërgimtarët kanë qenë të rrezikuar nga ky grup hajnash të cilët veprimtarinë e kishin shtrirë në gjithë vendin.

Burimet e Indeksonline kanë thënë se edhe një person është i identifikuar nga autoritetet e rendit, por i njëjti ndodhet aktualisht në arrati.

F.Hoxha (30-vjeç) dhe A.Kamberi (28-vjeç) dyshohet me bazë se janë të përfshirë në vjedhje të ndryshme.

Hoxha madje ishte kapur edhe nga kamerat e sigurisë teksa kryen vjedhjen brenda veturës në një parking në Prizren.

Që të dy hajnat janë dërguar në qendrën e paraburgimit dhe pritet të dalin para drejtësisë.

Policia e Kosovës sot në raportin 24 orësh dërguar mediave ka bërë të ditur se me datën 13 korrik te rrethi i Lipjanit, ka arritur të identifikojë dy të dyshuar meshkuj Kosovar-Shqiptarë, të cilët kanë vjedhur nga vetura një çantë ku kishte para të gatshme dhe disa gjëra personale.

Ndërsa dy ditë pas, është arrestuar njëri nga të dyshuarit dhe gjatë kontrollimit të tij i janë gjetur dhe konfiskuar disa nga paratë në euro dhe franga zvicerane, ndërsa i dyshuari tjetër gjendet në arrati. Me vendim të prokurorit janë kontrolluar dy shtëpitë e të dyshuarve mirëpo nuk është gjetur asgjë e dyshimtë, ndërsa i dyshuar është dërguar në mbajtje.

Ndërsa javën e kaluar ishte bërë arrestimi i të dyshuarit F.Hoxha.

“Njësitet policore të stacionit të Fushe Kosovës, kanë arrestuar një person të dyshuar për disa raste të vjedhjeve. Rastet kanë ndodhur në lokacione (dyshohet në gjithë territorin e Republikës së Kosovës) dhe periudha të ndryshme kohore, ku dyshohet se ka kryer (dhjetëra) vjedhje të rënda. Personi i dyshuar, pas përfundimit të procedurave nga ana e hetuesve të stacionit policor të Fushë Kosovës, është dorëzuar në stacionin policor në Prizren, saktësisht në qendrën e ndalimit për 48 orë.