Arrestohet një 33-vjeçar për tentim vrasje të policëve

Kronika December 19, 2018 - 15:00
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Rreth orës 01:00 të ditës së sotme policia ka arrestuar një 33 vjeçar, i cili ka qenë duke kryer një vjedhje në rrugën “Rifat Burgjeviq” në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.

A.E. ka qenë i kërkuar edhe më parë nga policia pasi që gjatë muajit tetor ai kishte shtënë në drejtim të një zyrtari policor, në tentim që t’i shmangej arrestimit derisa ishte zënë gjithashtu duke kryer një vepër penale, njofton Policia e Rajonit të Prishtinës.

I dyshuari edhe sot ka provuar që t’i shmanget arrestimit ku përsëri ka përdorur armë zjarri në drejtim të policëve.

Gjatë arrestimit dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, por që kanë arritur ta prangosin atë ku dhe i kanë sekuestruar armën e përdorur.

Ai është intervistuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Bëhet fjalë për një rast tentim vrasjeje, të ndodhur me datën 24.10.2018, rreth orës 02:00, ku i dyshuari ka shtënë në drejtim të një zyrtari policor, pasi që i njëjti është hasur në tentativë të kryerjes së veprës penal”, thuhet në kumtesën e policisë.

“Gjithashtu edhe më datë 02.11.2018 rreth orës 20:00, në përpjekje për t’iu shmangur legjitimimit policor i njëjti ka shtënë në drejtim të zyrtarit policor, për të ikur më pas në drejtim të panjohur”.