Nis ligjërimi i imamëve në burgje

Kronika October 16, 2018 - 08:20
Lajmet e fundit nga vendi!
Image

20 imamët e përzgjedhur nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), pas verifikimit të tyre nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI), kanë nisur ligjërimin në burgjet e Kosovës me qëllim të deradikalizimit të të burgosurve, shkruan sot gazeta "Zëri".

20 imamë të përzgjedhur nga Bashkësia Islame e Kosovës kanë nisur ligjërimin në burgjet e Kosovës me qëllim të deradikalizimit të të burgosurve. Ligjërimi i tyre në burgje ka ardhur pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit për “realizimin e rehabilitimit dhe riintegrimit të personave të burgosur” në mes të Ministrisë së Drejtësisë (MD) dhe Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) në maj të këtij viti.

LEXO EDHE: Analizat laboratorike në Kosovë, shkel e shko

Lajmin për nisjen e këtij procesi e kanë bërë të ditur për “Zërin” zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK). Zyrtari për Informim në Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK), Jeton Kabashi, ka thënë se ligjërimi ka nisur, por nuk ka dhënë më shumë detaje.

“Ju informojmë se procesi i këshillimit fetar nga imamët ka filluar, por meqenëse jemi ende në fillim të procesit ne sigurisht që në një të ardhme të afërt do t’ju njoftojmë më hollësisht”, ka thënë Kabashi.

Hasani: Ligjëratat mund të ndihmojnë në deradikalizimin e të burgosurve

Sociologët vlerësojnë se një gjë e tillë ka qenë e domosdoshme. Sociologu Shaip Hasani pohon se një ligjërim i duhur nga ana e imamëve do të ndihmonte në deradikalizimin e të burgosurve të radikalizuar.

“Imamët të cilët kanë ide progresive me ligjëratat e tyre mund t’i bindin të burgosurit që kanë kahje krejt ekstreme për t’i kthyer në besimin e realitetit. Mendoj që është mirë në mënyrë sistematike të jemi të organizuar mirë dhe në nivel. Besoj që do të kenë ndikime pozitive, edhe pse duhet më shumë kohë për t’i thyer sindromet negative të atyre individëve që kanë kahje ekstreme”, ka thënë sociologu Hasani.                      

 Ndryshe nga sociologu, njohës të çështjeve të drejtësisë ligjërimin e imamëve në burgje e shohin me një sy negativ.

Shala: Të ndalohet qasja e imamëve në burgje

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, pohon se pavarësisht që këta imamë kanë kaluar procesin e verifikimit nga ana e institucioneve të sigurisë (AKI), gjendja me të cilën do të ballafaqohet sistemi i drejtësisë në Kosovë do të jetë shumë më jokontrollues me futjen e imamëve në burgjet e Kosovës. “Unë vlerësoj që këta imamë pavarësisht nëse e kalojnë procesin e verifikimit ose jo t’u ndalohet qasja në objektet e sigurisë (burgjet e Kosovës), sepse me një proces të tillë duhet të merret Ministria e Arsimit përmes hartimit të një programi të veçantë, ku në të aktivizohen teologët, sociologët dhe që i tërë procesi mund të kontrollohet nga ana e Ministrisë së Arsimit sa i përket ligjërimit dhe asaj të drejtësisë sa i përket sigurisë”, është shprehur ai.                                                                                                                                        

 Shala thotë se deradikalizimi nuk mund të arrihet me sukses me anë të kësaj metode “ad hock”.   Më e mira sipas tij do të ishte që këta persona të cilët janë të dënuar nga ana e sistemit të drejtësisë t’u nënshtrohen terapive neuro-psikologjike dhe të aktivizohen në shoqëri përmes programeve socio-kulturore.                                                                                             

Ndryshe, marrëveshje e bashkëpunimit për “realizimin e rehabilitimit dhe riintegrimit të personave të burgosur” në mes të Ministrisë së Drejtësisë (MD) dhe Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) është bërë në maj të këtij viti.                                                                             

Ndërkohë, që nga viti 2014 pesë imamë janë akuzuar në lidhje me nxitjen dhe rekrutimin e luftëtarëve të huaj. Pesë prej tyre, Shefqet Krasniqi, Enes Goga, Bedri Robaj, Mazllam Mazllami e Idriz Bilibani, janë shpallur të pafajshëm, ndërsa Zekirija Qazimi, ish-imam i Xhamisë “El-Kudus” në Gjilan, është dënuar me 10 vjet heqje lirie për “Rekrutim” dhe për “Nxitje të urrejtjes”.                                                                                                                     

Rreth 3 vjet pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Kosovës kundër katër imamëve, Enes Goga, Bedri Robaj, Mazllam Mazllami, Idriz Bilibani dhe ish-kreut të partisë Lëvizja Islame për Bashkim (LISBA) Fuad Ramiqit, Gjykata Themelore në Prishtinë në maj të këtij viti kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj tyre.                                                                                               

Në mungesë të provave katër imamët Enes Goga, Bedri Robaj, Mazllam Mazllami, Idriz Bilibani ishin liruar nga akuzat për “Shtytje për kryerjen e veprave terroriste”, “Nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar ose etnik”, si dhe për “Thirrje për rezistencë” pesë të akuzuarit e këtij rasti. /ZERI