Analizat laboratorike në Kosovë, shkel e shko

Aktuale October 16, 2018 - 08:11
Lajmet e fundit nga vendi!
Image

Mjeku kosovar në Gjermani, Hasan Simnica, ka konsideruar se rezultatet e analizave laboratorike në spitalet e Kosovës kryhen shkel e shko. Simnica ka thënë se analizat, të cilat një pacientit i kanë dalë negative në Kosovë në laboratorë në shtetet tjera i kanë dalë pozitive, shkruan sot gazeta "Zëri".

“Absurditeti kosovar, pacienti që është edhe familjar shkon dhe e dërgon materialin në Labor(x) proba negativ, Labor(y) negativ, Labor(z) negativ, Labori Shkup pozitiv Labori Beograd pozitiv, Labori Gjermani pozitiv. Kjo është tmerri kosovar. Këto janë krime mbi njerëzit, të cilët nuk i ndjek askush”, ka thënë ai.
Sipas tij, edhe doktorët kosovarë shkojnë për trajtim në shtetet tjera, pasi nuk i besojnë stafit mjekësor me të cilët ata vetë punojnë.

LEXO EDHE: Dështimet që mund ta rrëzojnë Qeverinë

“Shumë interesante, një profesor në Shkup i një spitali thotë: Është e çuditshme, shumica e doktorëve kosovarë kur kanë nevojë diçka vijnë te ne se nuk i besojnë përgatitjes profesionale të kolegëve që punojnë çdo ditë me ta, por ata nuk janë në gjendje të luftojnë të paditurit, kurse kur kanë nevojë diçka personale vijnë te ne. Kjo tregon falimentimin e shëndetësisë në çdo aspekt”, ka shkruar më tej Simnica në llogarinë e tij në “Facebook”.

Se mund të ketë gabime në analizat laboratorike këtë e ka pohuar edhe drejtori i Klinikës së Biokimisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Shemsi Veseli.

Ai në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se në Kosovë nuk ka ndonjë laborator, i cili është i akredituar për t’i vërtetuar raportet e analizave, qoftë ato nga spitalet private, qoftë publike. Sipas tij, pa faj mjekët thirren në gjykata për shkak të anës teknike të laboratorëve e cila nuk jep rezultatet e parapara.

“Në Kosovë nuk ka ndonjë laborator që është i akredituar, ku mund të jetë si qendër referuese për shkak të akreditimit dhe të standardeve të bashkësisë evropiane për ta vërtetuar çfarëdo raporti. Kemi raste që na kanë ardhur edhe një herë, u ka dalë biokimia e rritur dhe kjo është shqetësim sidomos për shtatzënat. Nganjëherë aparati mund të jetë i vjetër dhe del një rezultat e ndoshta duhet ta provojmë dy-tre herë. Pa fajin tonë po thirremi në gjykata për shkak se pavarësisht anës profesionale është ana teknike që nuk ta jep rezultatin, i cili është paraparë”, ka thënë ai.

Nevojiten më shumë aparatura për Klinikën e Biokimisë

Shemsi Veseli ka treguar se për shkak të asaj se laboratorët punojnë me aparatura të ndryshme mund të ndodhë që edhe parametrat që dalin nga ato të mos analizohen mirë.

“Laboratorët punojnë me aparatura të ndryshme dhe në aparate janë metoda të ndryshme të analizave e nganjëherë ndodh që ndoshta edhe parametrat që dalin nuk analizohen mirë nga aspekti i përcaktimit të njësive matëse dhe nganjëherë edhe këtu kemi probleme. Në bazë të anketave dhe respodentëve të paanshëm, rezultatet që dalin nga Klinikat e Biokimisë janë më të detektueshme për shkak edhe të fluksit të madh të pacientëve. Për hir të pacientëve nuk jemi duke u ndalur, pasi kemi një fluks shumë të madh. Shërbimet janë gati falas. Pacientët kanë besimin dhe po vijnë në Klinikën e Biokimisë”, ka thënë ai.

Sipas tij, Klinika e Biokimisë duhet të ketë një pajisshmëri më të madhe me aparatura.

“Është koha që Ministria e Shëndetësisë të bëjë presion më të madh në kuptimin pozitiv me pajisshmërinë më të madhe në Klinikën e Biokimisë, që të jetë klinika si udhërrëfyese për shkak se kapaciteti më i madh i profesionistëve është në Klinikën e Biokimisë. Në anën tjetër, duke pasur standarde me aparaturë, hapësirë dhe shumë kushte të tjera që i parasheh Udhëzimi Administrativ, atëherë mundësohet që të akreditohet laboratori që pastaj është i thirrur në mënyrë të paanshme të caktojë rezultatet se a janë të mira në laboratorë”, ka thënë ai, duke shtuar se edhe pse kjo gjë do të ketë një kosto të lartë, është e rëndësishme që të mos ketë ndonjë lajthitje në rezultate.

Kurse drejtori i Spitalit të Gjakovës, Ahmet Asllani, në një prononcim për gazetën ka thënë se në këtë spital asnjë pacient nuk është ankuar se analizat laboratorike u kanë dalë të pasakta.

“Në spitalin tonë bëhen analizat biokimike, por edhe hormonale. Mirëpo deri më sot nuk e kemi pasur një ankesë të tillë dhe të gjithë janë ndarë të kënaqur, analizat kanë qenë shumë mirë”, ka thënë ai.

Asllani ka treguar se pret që ky spital të pajiset edhe me disa aparatura, të cilat janë të nevojshme, sidomos për diagnostikën.

“Aparaturat në laborator janë funksionale. Ne po mundohemi për ditë më të mira. Ka ardhur një shpresë prej Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) që t’i sjellin aparaturat e domosdoshme për vazhdimin e punës dhe për ofrimin e shërbimeve sa më profesionale, ku rol të rëndësishëm luan diagnostika sidomos analizat, CT-ja rengeni”, ka theksuar ai.

Kadrijaj: Të bëhet kontroll për saktësinë e rezultateve laboratorike

Anëtarja e Komisionit për Shëndetësi, Time Kadrijaj, ka thënë për “Zërin” se nëse ka raste të shumta që kanë ngritur shqetësim, sa i përket rezultateve të pasakta të analizave në laboratorët e Kosovës, atëherë  duhet që të bëhet një kontroll në institucionet publike dhe të vërtetohet një gjë e tillë.

Sipas saj, duhet të bëhet kalibrimi i aparaturave të laboratorëve dhe të shihet saktësia e rezultateve laboratorike.

“Duhet të ngrihet si shqetësim që të gjithë të kenë kujdes qoftë në institucione publike, qoftë në ato private gjatë trajtimit të pacientëve, njëkohësisht kujdes me rezultatet e analizave laboratorike. Është si rregull që të bëhet kalibrimi i aparaturave shëndetësore dhe këtë rast kalibrimi i aparaturave të laboratorëve dhe aty shihet saktësia e rezultateve laboratorike”, ka thënë ajo.

Kadrijaj ka thënë më tej se personat që punojnë në institucionet publike shëndetësore janë të licencuar për punën që ata bëjnë.

“Personat që punojnë në institucione qoftë publike ose private janë personat të licencuar, të cilët kanë kryer shkollimin adekuat. Duhet marrë parasysh afërsinë kur janë bërë analizat, dy ditë para ose dy ditë pas, sepse në të njëjtën kohë mund të ketë ndryshim pasi pacienti është trajtuar me antibiotik. Nëse dikush e ka përgatitjen profesionale dhe është e licencuar nga Ministria e Shëndetësisë”, ka theksuar ajo.

Shala: Nëse gabimet ndodhin më shumë se një herë, pacientët t’i drejtohen Policisë

Kreu i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala, ka thënë për gazetën “Zëri” se nëse gabime të tilla në analiza laboratorike përsëriten, atëherë qytetarët duhet t’i drejtohen Policisë.

“Ndonjëherë në përcaktimin e diagnozës kemi një mospërputhje dhe qytetarët shkojnë jashtë vendit ose në Maqedoni, ose në Turqi, ai i cili ka mundësi materiale u drejtohet shteteve më të zhvilluara evropiane. Për dikë duhen analiza të sofistikuara për zbulimin e hershëm të ndonjë sëmundjeje. Gabimet ndodhin edhe në Amerikë, por nëse një gabim përsëritet dhe ka pasojë shëndetin e pacientit, ata duhet t’i drejtohen Policisë”, ka thënë ai.

Sipas tij, edhe në institucionet publike në Kosovë rezultatet e analizave dalin të sakta, andaj edhe siç ka thënë ai nuk është e nevojshme të shkohet jashtë vendit.

“Ka mundësi që edhe këtu rezultatet të dalin shumë të sakta. Ka raste kur i kanë bërë analizat në Kosovë dhe pastaj kanë shkuar diku tjetër dhe i kanë marrë prapë rezultatet e njëjta”, ka theksuar ai./ZERI