Deputetët takojnë grevistët e Pallatit të Drejtësisë

Kronika July 10, 2018 - 16:19
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Një delegacion i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, në përbërje të Albulena Haxhiu, kryetare, Hajdar Beqa, zëvendëskryetar, Sami Kurteshi dhe Korab Sejdiu, anëtarë, vizitoi sot Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, transmeton “Zëri.info”.

Sipas njoftimit të Kuvendit, qëllimi i kësaj vizite ishte njoftimi nga afër i kërkesave tw punëtorëve të administratës së gjykatave dhe prokurorive, të cilët kanë hyrë në grevë. 

Këshilli grevist njoftoi anëtarët e komisionit se nga data 4 korrik, kur edhe ka filluar greva, nuk kanë pasur asnjë vizitë nga niveli qeveritar.

Përfaqësues të Këshillit njoftuan anëtarët e komisionit me kërkesat e grevistëve, të cilat kishin të bënin me ngritjen e pagave, rregullimin e statusit të veçantë të tyre, si dhe përvojën e punës, në mënyrë që, sipas tyre, të kthehet dinjiteti i punëtorëve në gjykata dhe prokurori.

Anëtarët e komisionit, duke i cilësuar si të drejta kërkesat e punëtorëve, ofruan mbështetjen e tyre dhe kërkuan që këto kërkesa të plotësohen sa më parë.

Në fund të takimit, anëtarët e Komisionit dhe Këshilli grevist u dakorduan që nesër, në orën 12:00, të mbahet një takim i përbashkët në ndërtesën e Kuvendit, ku i ftuar do të jetë edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj dhe Naim Shala, kryetar i Sindikatës së Grevistëve.ë

Image

Image