Gërvalla mbron Faton Pecin në Kuvend: Do të mbahet mend për transformimin e bujqësisë dhe luftimin e korrupsionit
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka dalë në mbrojtje të ish-ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, pas kritikave që disa deputetë adresuan ndaj tij në Kuvendin e Kosovës.
Gërvalla deklaroi se, pavarësisht kritikave, Peci do të mbahet mend për ndryshimet që, sipas saj, i ka sjellë në sektorin e bujqësisë dhe për luftimin e korrupsionit gjatë mandatit të tij në qeverinë “Kurti 2”, transmeton Zeri.info.
“Më lejoni të theksoj se, përkundër asaj që u përmend këtu, ish-ministri Faton Peci do të mbahet mend për transformimin rrënjësor të zhvillimit të bujqësisë, luftimin e korrupsionit, si dhe si njëri prej ministrave më të guximshëm të qeverisë ‘Kurti II’”, tha Gërvalla në Kuvend.
Ajo shtoi se qytetarët do t’ia kujtojnë vazhdimisht këto, duke shprehur bindjen se puna e Pecit do të vlerësohet edhe në të ardhmen.
“Qytetarët do t’ia përsërisin çdo ditë këtë që thashë unë”, deklaroi ministrja e Drejtësisë. /Zëri