Rezultatet në PISA, Çeku njofton se strategjia e re pritet të finalizohet së shpejti
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se po punohet në strategjinë e re dhjetëvjeçare të arsimit dhe në një program kombëtar për lexim dhe matematikë, me synimin për të adresuar rezultatet e dobëta të Kosovës në testin PISA 2025.
Çeku iu përgjigj pyetjes së deputetes së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, e cila kërkoi të dijë se çfarë masash të menjëhershme ka ndërmarrë Ministria e Arsimit për të adresuar problemet e evidentuara nga rezultatet e testit ndërkombëtar.
“Duke nisur nga rezultatet e dobëta të testit PISA të vitit 2025, me ç’rast janë publikuar sivjet, me shumë shqetësim po e pyes ministrin se çfarë masa ka marrë të menjëhershme që sistemi arsimor t’i adresojë këto defekte”, tha Lushaku-Sadriu.
Ministri Çeku tha se hartimi i strategjisë së re të arsimit është në fazë të avancuar dhe po bëhet në bashkëpunim me sindikatat, këshillat e prindërve, nxënësve e studentëve, si dhe me përfaqësues të institucioneve arsimore.
“Zhvillimi dhe përmirësimi i shkathtësive të nxënësve në lexim-kuptim, matematikë dhe shkenca është proces afatgjatë që kërkon ndërhyrje në dy nivele, në atë sistemik dhe në atë të ndërhyrjeve të shpejta”, tha Çeku.
Ai bëri të ditur se, krahas hartimit të strategjisë dhjetëvjeçare, Ministria po punon edhe në rishikimin e kornizës kurrikulare, rishikimin e teksteve shkollore dhe digjitalizimin e procesit mësimor.
Në veçanti, Çeku theksoi se është duke u hartuar programi kombëtar për lexim dhe matematikë, i cili synon të adresojë vështirësitë e nxënësve në këto fusha, të evidentuara edhe nga analiza e rezultateve të PISA 2025.
“Besoj që programin do ta finalizojmë në javët në vijim”, tha ministri.
Sipas Çekut, për hartimin e strategjisë po angazhohen ekspertë vendorë dhe po synohet përfshirja e të gjithë akterëve të rëndësishëm të sistemit arsimor, duke përfshirë Sindikatën e Arsimit, Kolegjiumin e Drejtorive Komunale të Arsimit, Konferencën e Rektorëve, institucionet parashkollore dhe parlamentet studentore.