Gani Geci dërgohet me urgjencë në Spitalin e Pejës, nga spitali japin detaje për gjendjen e tij

Gani Geci dërgohet me urgjencë në Spitalin e Pejës, nga spitali japin detaje për gjendjen e tij

Aktuale October 21, 2026 - 16:09

Gani Geci është dërguar me urgjencë në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, pasi ka shfaqur shqetësime shëndetësore gjatë kohës sa po qëndron në paraburgim.

Gazeta Nacionale e ka konfirmuar një gjë të tillë nga Drejtori i Spitalit të Pejës, Fahri Hasani. Sipas tij Geci ka pasur shqetësime me tension të gjakut, çka ka bërë të nevojshëm dërgimin e tij në spital.

Drejtori ka konfirmuar se, problemet shëndetësore janë shfaqur dje, pas orës 18:00, kur Geci është shoqëruar nga njësitet përkatëse drejt spitalit.

Ai është duke marë trajtim në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.

“Pacienti ka ardhur me ankesa në kafazin e krahrorit me dyshim për sindroma angina pectoris, i janë bërë ekzaminime të nevojshme, gjendja e tij është stabile. Stafi do të vazhdoj të përkujdeset me ekzaminime të tjera të nevojshme.” – tha ai

Paraburgimi

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gani Geci, ndodhet në paraburgim nën dyshimin për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj, drejtues i mediumit “Vox Kosova”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 tetor 2026, ia caktoi Gecit masën e paraburgimit prej 30 ditësh, duke miratuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Vendimin e konfirmoi për Nacionalen zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi.

Rasti kishte nisur pas një postimi të Mehmetajt në Facebook, në të cilin ai kishte kritikuar deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci.