“Synohet drejtësi pa paragjykime”, avokati Musa për ndryshimin e Ligjit për Specialen
Avokati Skender Musa e ka vlerësuar si pozitive miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar nga Kuvendi i Kosovës, teksa ka shtuar se qëllimi i tij është garantimi i një procesi të drejtë gjyqësor, pa paragjykuar vendimmarrjen e gjykatës.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Musa ka deklaruar se ndryshimet synojnë të kufizojnë fushëveprimin e gjykatës dhe ta rikthejnë ligjin në frymën e propozimit fillestar të Këshillit të Evropës, lidhur me raportin e Dick Marty-t dhe veprat që ndërlidhen me krimet e luftës.
“Është mirë që kalon ligji. Me këtë ligj synohet vetëm që të garantohet procesi i drejtë gjyqësor. I kufizohet fusha e veprimit të gjykatës. Mirëpo, me ligj nuk paragjykohet gjykimi dhe besoj që e ka bërë një zgjidhje të mirë”, tha Musa.
Ai ka theksuar se plotësim-ndryshimi i ligjit synon rikthimin te origjina e propozimit të Këshillit të Evropës, duke sqaruar se kompetenca e Dhomave të Specializuara lidhet me veprat që kanë të bëjnë me krimet e luftës.
“Plotësim-ndryshimi i ligjit është që të kthehet në origjinën e propozimit nga Këshilli i Evropës për raportin e Dick Marty-t dhe veprat që lidhen me krimet e luftës. Veprat që nuk lidhen me krimet e luftës nuk kanë qenë dhe as tani nuk janë kompetencë e Dhomave të Specializuara”, shtoi ai.
Sa i përket ndikimit të ndryshimeve ligjore në vendimet gjyqësore, Musa ka thënë se ato nuk ndikojnë drejtpërdrejt në vendimmarrje, por synojnë të krijojnë më shumë objektivitet për palët në procedurë, trupin gjykues dhe kolegjet.
“Sa i përket vendimeve në drejtësi, ligji nuk ndikon, mirëpo krijon objektivitet te palët, te trupi gjykues dhe te kolegjet”, ka përfunduar Musa.
Më 6 tetor, me 88 vota për, është miratuar në lexim të dytë ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale. Miratimi i këtij ligji ka ngjallur reagime të shumta nga ambasadat e akredituara në Prishtinë, por edhe nga Bashkimi Evropian. /eo