Ademi: Mërgata në Belgjikë do të lobojë në institucionet evropiane për ish-krerët e UÇK-së
Foto: Laura Hasani

Ademi: Mërgata në Belgjikë do të lobojë në institucionet evropiane për ish-krerët e UÇK-së

Aktuale October 11, 2026 - 08:15

Shqiptarët e mërgatës në Belgjikë protestuan dje kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Organizatori i protestës, Ismet Ademi, tha në Klan Kosova se, përveç protestave, duhet të nisë edhe lobimi në institucionet evropiane për çështjen e ish-krerëve të UÇK-së.

“Përveç protestave dhe gjithë atyre aktiviteteve të mërgatës ose të popullit shqiptar të Kosovës, duhet të merret edhe një veprim tjetër, të lobohet në Bashkimin Evropian, në institucionet e Evropës dhe në të gjitha instancat më të larta, që të tregohet se ky gjykim për çlirimtarët tanë është i padrejtë”, tha Ademi.

Ai bëri të ditur se synojnë të takojnë deputetë të Parlamentit Evropian dhe përfaqësues të Komisionit Evropian, me qëllim që përmes takimeve dhe angazhimeve të tjera të shtyjnë përpara këtë çështje.