Vrasja në Livoç të Ulët, familja e viktimave shpreson në drejtësi

Vrasja në Livoç të Ulët, familja e viktimave shpreson në drejtësi

Aktuale October 10, 2026 - 22:02

Dhimbjen që kanë po mundohen t’ua lehtësojnë miqtë që po u shkojnë për krye shëndosh.

Familja e Nafije e Egzon Bogujevcit që u vranë pasditen e së premtes në Livoç të Ulët të Gjilanit, tashmë kanë hapur të pame.

Ndonëse dhimbjen e kanë të madhe, familjarët besojnë në drejtësi.

“Për shkak të gjendjes së rënë emocionale, familja e të dy viktimave këtu në Pozheran të Vitisë nuk ka qenë e gatshme të flas para kamerës. Familjarët thanë që presin nga organet ta zbardhin rastin”.

Pikërisht organet e drejtësisë tashmë kanë nisur hetimet, ku dje kanë bastisur tri prona të Valon Ramushit, i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Nafijes dhe vëllait të saj Egzonit dhe si dhe plagosjen e Mazllumit, familjarit të viktimave.

“Me urdhër të prokurorit janë kryer bastisje në shtëpitë dhe pronat e te dyshuarit ku janë gjetur dhe sekuestruar dy armë të gjata me leje të skaduar, një pistoletë pa leje, një armë pneumatike, 520 fishekë kalibrash të ndryshëm dhe 1600 diabolla te pushkës pneumatike. Gjithashtu si prova materiale janë sekuestruar edhe disa telefona celularë dhe DVR të kamerave”.  – POLICIA E KOSOVËS

Ndërkohë, 48vjeçari që u plagos, trajtimin po e vazhdon në Mjekimin Intensiv në QKUK.

“Lëndimet kryesisht kanë qenë në regjionin e barkut të cilat kanë prekur organet e brendshme dhe kjo ka qenë arsyeja që është dashur një intervenim urgjent. Për momentin vazhdon të jetë i fjetur me barna dhe i kyçur për aparature dhe po vazhdon trajtimin me barna dhe mund të them që gjendja e tij po vazhdon edhe me tutje të jetë e rënd”, ka thënë Shaqir Uka, Shef i Mjekimit Intensiv, QKUK.

Siç merr vesh, televizioni kërkesa për paraburgim ndaj të dyshuarit pritet të parashtrohet të dielën në Gjykatën Themelore të Gjilanit.

I dyshuari, sipas Prokurorisë, nuk ka të kaluar kriminale dhe nuk ka pasur ndonjë rast të raportuar për dhunë në familje./dukagjini