Shiroka-Pula uron Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për 54-vjetorin
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka uruar Akademinë e Shkencave të Shqipërisë me rastin e 54-vjetorit të themelimit.
Në mesazhin e urimit, Shiroka Pula ka vlerësuar rolin e Akademisë në zhvillimin e shkencës, ruajtjen e trashëgimisë kombëtare dhe forcimin e identitetit intelektual të kombit shqiptar.
Ajo ka theksuar se Akademia, që nga udhëheqja e profesor Aleks Budës e deri te drejtimi aktual nga Skënder Gjinushi, ka shërbyer si institucion i dijes, kërkimit shkencor dhe mbrojtjes së trashëgimisë kombëtare.
Sipas presidentes, në një kohë kur shoqëria shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri përballet me ndryshime të thella dhe kërkesa në rritje për dije e ekspertizë, roli i Akademisë së Shkencave mbetet tejet i rëndësishëm.
“Për ne, shqiptarët e Kosovës, ky institucion ka qenë dhe mbetet një referencë e rëndësishme e dijes dhe e krenarisë kombëtare”, thuhet në mesazhin e saj.
Shiroka Pula ka shprehur urimin që Akademia të vazhdojë të jetë një hapësirë e hapur e dijes, që frymëzon studiuesit e rinj dhe forcon bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë në shkencë e kulturë.
Ajo ka uruar gjithashtu për botime të reja shkencore, projekte kërkimore me vlerë dhe bashkëpunime ndërkombëtare që kontribuojnë në promovimin e shkencës shqiptare.