Ndryshimet në Ligjin për Specialen, reagojnë BE-ja dhe Gjykata, ndërsa SHBA-ja hesht
Votimi për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara ka bërë që të ketë reagime nga ndërkombëtarët e edhe vetë Specialja, por jo nga SHBA-të.
Të premten, SHBA-ja uroi Justina Shiroka Pulën për marrjen e pozitës si presidente e vendit, ndërsa nuk përmendi ligjin për Gjykatën Speciale, e cila dënoi ish-krerët e UÇK-së me burg prej 81 vjetësh në total për 4 të akuzuarit.
“Ambasada e SHBA-së pret me padurim të bashkëpunojë me Justinë Shiroka Pulën, Presidenten e sapozgjedhur të Republikës së Kosovës. Ambasada e SHBA-së mbetet e përkushtuar për të bashkëpunuar me institucionet e Kosovës në avancimin e prioriteteve të përbashkëta, përfshirë paqen rajonale, stabilitetin dhe prosperitetin e ndërsjellë”, thuhet në përgjigjen e SHBA-së.
Ndryshe nga kjo, BE-ja u shpreh e ashpër me deputetët të cilët miratuan ndryshimin e ligjit, duke thënë se miratimi i këtij ligji bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian shpjegoi gjithashtu pse nuk reagoi as kur u paralajmërua se ligji mund të ndryshohej, as pas leximit të parë.
“Ju e dini se ne, si çështje parimi, gjë që mendoj se është shumë logjike, komentojmë vetëm vendimet përfundimtare dhe ligjet që miratohen përfundimisht, jo projektet apo tekstet që janë të njohura ose që janë në leximin e parë apo të dytë. Prandaj, sigurisht, ne reaguam pasi pati një vendim përfundimtar nga Kosova. Dhomat e Specializuara të Kosovës po vendosin drejtësi, bazuar në parimin e përgjegjësisë individuale penale”, tha Christian Wigand, zëdhënës i BE-së.
Ndërsa zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Michael Doyle, ka thënë se Specialja nuk është konsultuar sa i përket ndryshimeve dhe ka thënë se si Gjykatë do të jetë e fokusuar në përmbushjen e mandatit.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) nuk janë konsultuar. Për momentin nuk kemi ndonjë koment. Dhomat e Specializuara janë tërësisht të fokusuara në zbatimin e mandatit të tyre për të garantuar procese gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të sigurta, si dhe për të garantuar mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave”, ka deklaruar Doyle në një përgjigje për T7.
Ndërkohë, të premten, ambasadori gjerman dhe ambasadorë të tjerë që veprojnë në Prishtinë kanë shkuar në Gjykatën Kushtetuese të vendit, derisa ende nuk është bërë e ditur se për çfarë e kanë vizituar institucionin më të lartë të vendit.
Ndryshe nga ndërkombëtarët mendon PDK-ja, e cila edhe e ka iniciuar këtë ligj në Kuvend.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka reaguar rreth skepticizmit që është krijuar rreth ndryshimit të ligjit për Dhomat e Specializuara, ku deklaroi se ky ligj është shkruar në mënyrën më të mirë të mundshme.
Sipas tij, ky ligj nuk e shkel Kushtetutën dhe nuk i shkel detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, duke theksuar se nuk kanë dyshuar.
“Gjykata Speciale deri më sot ka treguar se është e gatshme ta interpretojë ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës sipas mënyrës së vet. Prandaj, pres që të bëjë obstruksione edhe ndaj zbatimit të këtij ligji. Por pyetja është: a mundemi ne, si shtet i Kosovës, ta detyrojmë që ta zbatojë? Po. Absolutisht po. Jam i bindur se do ta gjejmë rrugën juridike dhe institucionale për ta detyruar Gjykatën Speciale ta zbatojë ligjin e Republikës së Kosovës. Për këtë do të na duhet vendosmëri si shtet, si institucione dhe si shoqëri. Dhe do t’ia arrijmë”, ka shkruar ai, ndër të tjera.
Votimi për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara u bë mbrëmjen e së martës, kur deputetët e miratuan ndryshimin e këtij ligji.
Sipas ndryshimeve që janë paraparë, dënimi për të akuzuarit nuk mund të jetë më shumë se 15 vjet, duhet t’u ofrohet mundësia e faljes nga presidenti, si dhe pika të tjera që PDK-ja po kërkon t’i ndryshojë. /gazetametro