Kurti për 28-vjetorin e masakrës së familjes Deliu: Përmasat e krimeve janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë

Kurti për 28-vjetorin e masakrës së familjes Deliu: Përmasat e krimeve janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë

Aktuale September 26, 2026 - 16:24

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 28-vjetorin e masakrës së familjes Deliu në Abrinë e Epërme të Drenasit, ku më 26 shtator 1998 u vranë 23 anëtarë të kësaj familjeje.

Kurti, përmes një postimi, ka përmendur viktimat e masakrës, nga foshnja që ndodhej në barkun e nënës së saj, deri te viktima më e moshuar, 94-vjeçari Fazli Deliu.

“Nga foshnja në barkun e nënës Luljetë, të cilën ajo do ta quante Malësor ose Malësore, te Mihanja e cila një ditë më parë kishte mbushur 28 vjet dhe i biri i saj Valmiri, i cili kishte pesë ditë që i kishte mbushur dy vjet, te Lumnija dhe foshnja e saj në javën e gjashtë të jetës Dituria, e cila i mbijetoi masakrës por vdiq 54 ditë më vonë, tek Antigona dhe Mihanja 14 dhe 16 vjeçe, e deri te më i vjetri, Fazli Deliu, 94 vjeç”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, përmasat dhe mënyra e kryerjes së krimeve ndaj familjes Deliu përbëjnë dëshmi të krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit.

“Përmasa dhe llojet e krimeve çnjerëzore që aparati shtetëror i Serbisë kreu ndaj 23 anëtarëve të familjes Deliu nga Abria e Epërme e Drenasit, më 26 shtator 1998, janë dëshmia e pamohueshme e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve në luftën e fundit në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Kurti ka përmendur edhe mënyrën e vrasjes së disa prej viktimave, duke e cilësuar atë si dëshmi të mizorisë ndaj popullsisë civile shqiptare.

“Prerja e barkut të një shtatëzëne, vrasja e një nëne tjetër bashkë me fëmijën dy vjeç dhe e tjetrës që mbante në duar foshnjën 40 ditëshe, dhunimi e masakrimi i vajzave 14 e 16 vjeçe, sikurse gjymtimi që iu bë kufomave pasi fillimisht ishin qëlluar me plumb në kokë, janë dëshmia e mizorisë dhe barbarisë, si dhe rezultati i urrejtjes së mbjellë ndaj shqiptarëve për dekada nga akademia serbe, ideatores që fshihet prapa perdes teksa sheh frytet e politikës së saj fashiste, shoviniste e ekspansioniste”, ka shkruar Kurti.

Ai ka kujtuar edhe masakrën e kryer po atë ditë në fshatin Golluboc të Malishevës, ku, sipas tij, aparati shtetëror i armatosur i Serbisë kishte lidhur dhe torturuar civilë shqiptarë para se t’i ekzekutonte.

Kurti ka kërkuar drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre, duke bërë thirrje për rritje të trysnisë ndërkombëtare ndaj Serbisë.

“Drejtësia është detyrim dhe më e pakta që duhet bërë për viktimat dhe familjet, andaj trysnia ndërkombëtare ndaj fqinjit verior duhet të jetë më e madhe se kurrë më parë”, ka thënë Kurti.