Haga merr vendim për vizitat e Hashim Thaçit

Haga merr vendim për vizitat e Hashim Thaçit

Aktuale September 24, 2026 - 11:15

Gjyqtari Christopher Gosnell më 21 shtator ka marrë vendim për ndryshimin e kufizimeve për vizita tek ish-presidenti, Hashim Thaçi, në qendrën e paraburgimit në Hagë, lidhur me rastin e dytë, ku Thaçi akuzohet për tentim - pengim të drejtësisë.

Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndalimi i vizitave vazhdon të jetë në fuqi në lidhje me katër persona, ndërsa ndalimi për vizitorët e tjerë të specifikuar hiqet me efekt të menjëhershëm.

“Vizitat e tyre do të mbikëqyren në mënyrë aktive”, thuhet në njoftim. Gjykatësi konstatoi, ndër të tjera, se ecuria e procesit ka pakësuar ndjeshëm, në mos ka eliminuar plotësisht, rrezikun e ndikimit të dëshmitarëve në këtë çështje gjyqësore.

“Sidoqoftë, ai konstatoi se vazhdimi i ndalimit të vizitave nga katër individë mbetet proporcional dhe i domosdoshëm për ruajtjen e integritetin e procesit. Kufizimet do të rishikohen përsëri në dhjetor 2026”.

“Në një vendim tjetër lidhur me paraburgimin në çështjen tjetër gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, që u lëshua më 16 shtator, Trupi Gjykues II pezulloi përkohësisht kufizimin e numrit të vizitave jo të privilegjuara personale të Thaçit, Veselit dhe Selimit për periudhën nga 16 deri 21 shtator 2026, duke e autorizuar administratoren të planifikonte vizita shtesë gjatë asaj periudhe”, u tha mes të tjerash në njoftim.