“Takime me agjentët serbë”, gazetarja Lala reagon ndaj deklaratës së Vlora Hysenit

“Takime me agjentët serbë”, gazetarja Lala reagon ndaj deklaratës së Vlora Hysenit

Aktuale September 24, 2026 - 14:34

Ish shefja e SHISH-it, Vlora Hyseni është përfshirë sot në një polemikë me gazetaren Klodiana Lala në hyrjen e ambienteve të GJKKO-së para se të njihej me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

E pyetur nga gazetarja Klodiana Lala për lidhjet e saj me Ergys Agasin, ajo iu përgjigj: “Klodi si kalon ti në takime me agjentët serbë në dhomat e hotelit Rogner?”.

Më pas ish-shefja e SHISH-it nuk iu përgjigj gazetarëve pse e kishte shkarkuar Albin Kurtin dhe nëse kishte ndonjë koment për këtë, por u fut në ambientet e GJKKO-së. Menjëherë pas kësaj deklarate ka reaguar në një lidhje live gazetarja Klodjana Lala, që e quajti sulm vulgar, shantazh.

“Ka zgjedhur të kundërsulmojë me gjuhë vulgare ndaj gazetarëve, duke i shantazhuar ata për takime në hotele të ndryshme”, tha Klodiana Lala në një lidhje live.

“Se për cilat takime i referohet Vlora Hyseni, mbetet për t’u sqaruar kur të dalë, por ishte një akuzë e fortë e lëshuar dhe një shantazh ndaj gazetarëve”, u shpreh gazetarja Lala.

Ndërkohë për këtë incident në ambientet e GJKKO-së ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë. Në reagimin publik, AGSH-ja dënon deklaratat e Hysenit dhe i kërkon asaj që t’i tërheqë menjëherë, ndërsa i bën thirrje SPAK-ut që ta trajtojë me seriozitet episodin.

“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon me termat më të ashpër shantazhin dhe sulmet e të dyshuarës së SPAK-ut, ish-shefes së SHISH-it Vlora Hyseni ndaj gazetares Klodiana Lala”, thuhet në reagim.

Sipas AGSH-së, personat nën hetim duhet të japin llogari përpara drejtësisë, ndërsa presioni apo shantazhi ndaj gazetarëve nuk mund të tolerohet.

“Çdo i dyshuar i drejtësisë duhet të japë llogari vetëm përpara drejtësisë, ndërsa shantazhet ndaj gazetarëve nuk mund të tolerohen”, vijon deklarata.

Asociacioni i kërkon gjithashtu Hysenit të tërheqë deklaratat dhe nxit Strukturën e Posaçme të shqyrtojë rastin.

“AGSH-ja i bën thirrje zonjës Hyseni që të tërheqë menjëherë deklaratat e saj, ndërsa e nxisim Strukturën e Posaçme që të shikojë me seriozitet këtë episod shantazhi nga ana e saj ndaj një gazetareje”, përfundon reagimi. /TCH