Gërvalla: Gjyqtarëve dhe prokurorëve do t’iu kontrollohet pasuria çdo 3 vjet, shkarkohen nëse performojnë dobët

Gërvalla: Gjyqtarëve dhe prokurorëve do t’iu kontrollohet pasuria çdo 3 vjet, shkarkohen nëse performojnë dobët

Aktuale September 26, 2026 - 15:30

Qeveria e Kosovës dje në një mbledhje elektronike njoftoi se miratuar Projektligjin për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit dhe Statusin e Gjyqtarëve  dhe Prokurorëve, përmes të cilit tha se përcaktohen rregullat e rekrutimit, vlerësimit të performancës, kontrollit të integritetit, statusit dhe çështje tjera lidhur me gjyqtarët dhe prokurorët në Republikën e Kosovës.

Para njoftimit të Qeverisë, për këtë ligj dhe pakon ku bën pjesë edhe ky ligj që Ministria e Drejtësisë i procedoi për miratim në Qeveri, sot në një konferencë për media foli ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla.

Aty ajo njoftoi se “pakoja e pesë ligjeve të reformës i shkon Kuvendit të Kosovës për herë të parë”.

“Reforma është pjesë e deklaratës së përbashkët të zotimit të nënshkruar nga Ministria e Drejtësisë, gjyqësori dhe prokuroria. Ajo synon efikasitet, profesionalizëm, integritet dhe llogaridhënie të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe është në linjë me rekomandimet e Komisionit të Venedikut”, tha Gërvalla.

Më pas, ajo u ndal te detajet e këtij ligji ku tregoi se ai synon që gjyqtarëve e prokurorëve t’ia kontrollojë pasurinë dhe tha se ata mund të shkarkohen për shkak të “performancës së dobët”.

“Ligji po ashtu parasheh kritere të veçanta për vlerësimin e performancës të kryetarëve të gjykatave dhe kryeprokurorëve bazuar në organizimin dhe udhëheqjen e punës, efikasitatetin, transparencës e gjykatës dhe prokurorisë dhe kompetencave personale të tyre”.

Gërvalla tha se parashihet edhe mundësia e ankesës për vlerësimin e bërë të performancës së gjyqtarit dhe prokurorit drejtpërdrejt në Gjykatën Supreme.

“Për herë të parë Ligji parasheh që gjyqtarët dhe prokurorët mund të shkarkohen për shkak të vlerësimit të dobët të performancës. Ndërkohë që masat disiplinore të shqiptuara do të përfillen gjatë procesit të avancimit të gjyqtarit apo prokurorit. Por, gjyqtarët dhe prokurorët do të shkarkohen edhe në rast se vërtetohen që kanë pasuri të pajustifikueshme pasi që Ligji parasheh edhe kontrollin e  integritetit në kuadër të të cilit është edhe kontrolli i plotë i pasurisë së çdo gjyqtari dhe prokurori çdo tri vite. Por, Ligji nuk parasheh vetëm kritere më të larta cilësore të performancës dhe integritetit, por edhe më shumë siguri për gjyqtarët dhe prokurorët”.

Ministrja e Drejtësisë tha se ligji po ashtu parasheh masa të veçanta të mbrojtjes për gjyqtarët dhe prokurorët si dhe familjet e tyre në rast të kërcënimit.

Gërvalla tha se transferimi i gjyqtarëve në një gjykatë tjetër apo prokurorëve në një prokurori tjetër do të bëhet “me kritere strikte ligjore me qëllim ngritjen e efikasitetit”.

Sipas saj, masat e ndërmarra disiplinore ndaj gjyqtarëve e prokurorëve do të bëhen publike nga KGJK dhe KPK. /express