Vijojnë fjalët përfundimtare në rastin e pengimit të drejtësisë
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë vazhdon sot seanca për paraqitjen e deklaratave përfundimtare në çështjen penale ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të akuzuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Në seancën e djeshme, mbrojtja e Hashim Thaçit kërkoi që ai të shpallet i pafajshëm dhe të lirohet nga të gjitha akuzat.
Prokuroria e Specializuar ka propozuar dënime për të akuzuarit, gjashtë vjet burgim për Thaçin, nga tre vjet për Smakajn, Kilajn dhe Fazliun, si dhe nëntë muaj burgim për Kuçin.
Këto kërkesa u kundërshtuan nga mbrojtja e Thaçit.
Avokatja e tij, Sophie Menegon, tha se nuk ka ekzistuar asnjë grup që ka tentuar të pengojë drejtësinë dhe se provat e paraqitura nga Prokuroria për të mbështetur akuzën janë të pabazuara.
Sipas mbrojtjes, veprimet për të cilat akuzohet Thaçi nuk kanë pasur ndikim në procesin gjyqësor, duke theksuar se ai akuzohet për tentativë ndërhyrjeje dhe jo për veprën penale të kryer.
Edhe mbrojtja e Bashkim Smakajt kërkoi lirimin e tij nga të gjitha akuzat.
Sipas Prokurorisë, në veturën e Smakajt ishin gjetur dokumente orientuese për një dëshmitar, ndërsa avokati i tij tha se ZPS-ja nuk kishte ofruar argumente të mjaftueshme lidhur me bisedat mes Smakajt dhe Zyrapit.
Seanca e sotme do të vazhdojë me paraqitjen e fjalëve përfundimtare nga ekipet e tjera mbrojtëse.