Haxhiu pas vrasjes së 25-vjeçares në Malishevë: Gratë nuk janë të sigurta as në shtëpitë e tyre
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vrasjes së rëndë të një 25-vjeçareje, e cila ishte në javën e 34-të të shtatzënisë.
Haxhiu ka shprehur tronditjen e saj për rastin, duke theksuar se siguria e grave duhet të jetë përgjegjësi e të gjithë shoqërisë.
“Shoqëria jonë nuk mund të jetë e sigurt përderisa gratë nuk janë të sigurta as në shtëpitë e tyre”, deklaroi Haxhiu.
Ajo theksoi se familja dhe martesa nuk duhet të përdoren për të fshehur ose arsyetuar dhunën ndaj grave, ndërsa ka kërkuar nga organet e drejtësisë që ta zbardhin plotësisht rastin dhe të veprojnë me përgjegjësi.
“Kur një gruaje i rrezikohet jeta, kjo nuk është më çështje private. Është një çështje që na përket të gjithëve dhe përballë së cilës institucionet duhet të veprojnë pa vonesë”, shkroi u.d. e presidentes.
Në fund, Haxhiu i ka shprehur ngushëllime familjes së të ndjerës për humbjen e rëndë.