Pacolli: 773 familje do të përfitojnë nga projekti 37-milionësh për banim social
Foto: Laura Hasani

Pacolli: 773 familje do të përfitojnë nga projekti 37-milionësh për banim social

Aktuale August 22, 2026 - 11:23

Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka thënë se banimi i sigurt dhe dinjitoz është pjesë e rëndësishme e planifikimit hapësinor dhe zhvillimit të qëndrueshëm të qyteteve.

Pacolli, gjatë prezantimit të projektit të banimit social adekuat, ka deklaruar se për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, shtëpia nuk është vetëm një objekt, por pikënisje e planifikimit hapësinor.

“Për ne në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, shtëpia nuk është thjesht një objekt me mure e kulm, por pikënisja e planifikimit të mirëfilltë hapësinor. Në vizionin tonë, banimi dhe planifikimi i me territorin janë të padashur… banimi i sigurt, i dinjitetshëm dhe i integruar mirë në hapësirën që e rrethon është shtylla e mjedisit të shëndetshëm dhe zhvillimit të qëndrueshëm të qyteteve tona. Planifikimi hapësinor…”, ka thënë Pacolli.

 

Ajo ka bërë të ditur se projekti ka arritur në fazën finale dhe se nga e hëna do të nisë nënshkrimi i marrëveshjeve me 21 komunat përfituese.

“Duke u nisur nga ky vizion dhe më pas… dhe pas një pune intenzive, projekti i banimit social adekuat ka arritur në fazën finale. Duke filluar nga dita e hënë, ne nisim nënshkrimin e marrëveshjeve me 21 komuna përfituese, duke shënuar kështu investimin më të madh publik në fushën e banimit social në Kosovë”, ka deklaruar ajo.

Sipas Pacollit, projekti ka vlerë prej 37 milionë eurosh, prej të cilave 25 milionë euro financohen nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës, ndërsa 12 milionë euro nga Qeveria e Kosovës.“

Ky projekt nuk është thjesht një ndërtim infrastrukturor, por një platformë e vërtetë për drejtësi sociale ku askush nuk mbetet pas.

Ai ka një vlerë prej 37 milionë eurosh, ku 25 milionë euro financohen direkt prej Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës, ndërsa 12 milionë euro nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka thënë ministrja në detyrë.

Pacolli ka theksuar se shpërndarja e buxhetit është bërë në bazë të gjendjes sociale dhe shkallës së varfërisë nëpër komuna.

“Parimi themelor i këtij projekti është drejtësia, prandaj edhe shpërndarja e buxhetit nuk është bërë në mënyrë uniforme, por bazohet në gjendjen sociale dhe shkallën e varfërisë. Ndër komunat që kanë fituar më së shumti janë Komuna e Skenderajt, e cila përfiton fondin me vlerë prej 3.4 milionë euro, pas saj rreshtohet Komuna e Drenasit dhe ajo e Mitrovicës së Jugut me 2 milionë e 250 mijë euro, dhe më pas Komuna e Vushtrrisë me 2 milionë e 235 mijë euro, ndërsa komunat e tjera përfituese kanë marrë secila fonde në vlerën 2 milionë euro”, ka deklaruar Pacolli.

Ajo ka bërë të ditur se nga ky investim pritet të përfitojnë rreth 773 familje, përmes katër komponentëve të projektit

“Nga ky investim pritet që të përfitojnë rreth 773 familje përmes katër komponentëve:

Ndërtimi i njësive të reja, Renovimi i banesave sociale si dhe renovimi apo rindërtimi i shtëpive private për familjet e cenueshme”, ka thënë ajo.

Ministrja në detyrë ka folur edhe për rëndësinë që projekti, sipas saj, ka për zhvillimin e balancuar territorial dhe planifikimin hapësinor.“

Ky projekt ka një dimension thelbësor me territorin, pra zhvillimin e balancuar të territorit. Por çfarë nënkupton saktësisht zhvillimi i balancuar i territorit dhe si lidhet ai me planifikimin hapësinor?

Planifikimi hapësinor është shpërndarje e drejtë, logjike dhe e qëndrueshme e jetës, burimeve dhe infrastrukturës në gjithë vendin.

Planifikimi i mirë hapësinor është ai që banimin e sigurt për familjet e cenueshme e ka shtyllë kryesore”, ka deklaruar Pacolli.

Në fund, Pacolli ka thënë se zhvillimi i balancuar nënkupton krijimin e kushteve të përshtatshme për jetesë në të gjithë territorin e Kosovës.

“Ne nuk mund të pretendojmë se kemi qytete dhe fshatra të planifikuara mirë nëse brenda tyre tolerojmë hapësira ku familjet tona jetojnë në kushte degradimi e pasigurie. Zhvillimi i balancuar nënkupton që ne duam një Kosovë ku qendrat urbane nuk mbipopullohen, ndërsa zonat e tjera nuk braktisen”, ka përfunduar ajo. /eo