Sinani i BIK-ut i drejtohet Dodë Gjergjit: Distancohuni nga deklaratat kërcënuese dhe aktiviteti i grupeve antishqiptare

Sinani i BIK-ut i drejtohet Dodë Gjergjit: Distancohuni nga deklaratat kërcënuese dhe aktiviteti i grupeve antishqiptare

Aktuale August 20, 2026 - 12:20

Kryetari i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Ajni Sinani, i është drejtuar me një thirrje publike ipeshkvit të Kosovës, Dodë Gjergji, duke kërkuar nga ai dhe Ipeshkvia e Kosovës të distancohen nga deklaratat kërcënuese ndaj pjesëtarëve të komunitetit mysliman dhe nga aktiviteti i grupeve që, sipas tij, përdorin gjuhë nxitëse ndaj Islamit dhe shqiptarëve myslimanë.

Sinani ka kërkuar nga Gjergji që “t’i thërrasë arsyes” dhe të veprojë në mënyrë racionale, duke paralajmëruar se veprimet e pamatura mund të dëmtojnë raportet ndërmjet komuniteteve fetare.

Në reagimin e tij, Sinani ka përmendur edhe raportet ndërmjet Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Ipeshkvisë, duke theksuar se vizitat e ndërsjella gjatë festave fetare janë bërë tashmë traditë, transmeton Zeri.info.

Sipas tij, Dodë Gjergji viziton Bashkësinë Islame të Kosovës me rastin e Bajramit, ndërsa myftiu Naim ef. Tërnava viziton Ipeshkvinë gjatë festave të komunitetit katolik.

“Takimi përshkruhet nga fryma e vëllazërisë”, shkroi Sinani.

Megjithatë, ai ka ngritur akuza për bashkëpunim të Ipeshkvisë me disa shoqata, të cilat, sipas tij, përdorin gjuhë fyese ndaj Islamit dhe figurave shqiptare.

Sinani është ndalur veçanërisht te vendosja e një gur themeli për ndërtimin e një kishe në një fshat të banuar, sipas tij, nga shqiptarë të besimit mysliman. Ai e ka cilësuar këtë veprim si “të papritur dhe të panevojshëm”, duke ngritur pyetjen se “kujt i duhet ajo kishë politike”.

Ai ka akuzuar se një veprim i tillë mund të perceptohet si provokim ndaj banorëve të zonës.

“Pse, përmes ndërtimit të kishës në një fshat mysliman, provokoni popullatën e atij fshati dhe asaj zone?”, ka shkruar Sinani.

Në reagimin e tij, Sinani ka folur edhe për historinë e shqiptarëve dhe raportin e tyre me fenë islame, duke kundërshtuar, siç ka thënë ai, përpjekjet për ta paraqitur përkatësinë fetare si kusht për identitetin kombëtar.

“Po, ne jemi shqiptarë dhe evropianë, edhe pse i përkasim fesë islame”, ka deklaruar ai.

Sinani ka kërkuar gjithashtu që Ipeshkvia të distancohet nga deklaratat kërcënuese që, sipas tij, janë bërë në adresë të myftiut Naim Tërnava.

“Ztr. Dodë Gjergji bëni mirë të distancoheni nga deklarata kërcënuese që bëhen në adresë të Myftiut Naim Tërnava. Kjo do të ishte fillimi drejt rrugës së duhur që duhet të merrni ju dhe Ipeshkvia”, ka shkruar Sinani.

Në fund, ai ka kërkuar nga Ipeshkvia që të angazhohet për njohjen e Kosovës nga Selia e Shenjtë.

“Ne presim që ju, si Ipeshkvi, të angazhoheni që Vatikani ta njohë Kosovën si shtet dhe të mos shpenzoni energji me shoqata tradhtare”, ka përfunduar Sinani. /Zëri