“Më tradhtuan”, kosovari që pretendon se spiunoi për CIA-n rrezikon të dëbohet nga SHBA-ja
Blerim Skoro, 55-vjeçari i lindur në Kosovë, është arrestuar nga autoritetet amerikane të emigracionit dhe tani përballet me rrezikun e dëbimit, pavarësisht se pretendon se për vite me radhë ka bashkëpunuar me CIA-n dhe FBI-në në operacione kundër rrjeteve terroriste.
Historia e tij është bërë publike nga televizioni amerikan CBS News, i cili raporton se Skoro u arrestua më 3 gusht nga agjentët e Agjencia amerikane për Zbatimin e Ligjeve të Emigracionit (ICE). (, derisa kishte shkuar në një zyrë emigracioni në New Jersey për të rinovuar dokumentet, transmeton Zeri.info.
Skoro, baba i tre fëmijëve dhe banues në Staten Island, aktualisht mbahet në qendrën e paraburgimit në Elizabeth, New Jersey. Avokatët e tij kanë kërkuar nga gjykata federale që të ndalojë dëbimin e tij.
Sipas CBS News, Skoro pretendon se pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 është rekrutuar nga CIA dhe është përdorur për të depërtuar në rrjete ekstremiste, përfshirë al-Qaedan. Ai thotë se ka bashkëpunuar gjithashtu me FBI-në dhe agjenci të tjera amerikane të zbatimit të ligjit.
Pretendimet e tij mbështeten pjesërisht nga dokumente të FBI-së të siguruara nga CBS News. Dokumentet e vitit 2004 e identifikojnë Skoron si informator në një hetim që lidhej me Osama bin Ladenin dhe përmendin se ai kishte dhënë informacione të konsideruara “të besueshme” dhe të përdorshme nga hetuesit.
Skoro kishte ardhur në Shtetet e Bashkuara në vitin 1994, pasi ishte larguar nga ish-Jugosllavia dhe kishte kërkuar azil.
Sipas dokumenteve të FBI-së dhe rrëfimit të tij, ai u arrestua në vitin 2000 për trafikim droge. Gjatë kohës së vuajtjes së dënimit në një burg federal në Pensilvani, ai nisi t'u ofronte informacione autoriteteve amerikane për persona të dyshuar për aktivitete terroriste.
CBS raporton se gjatë periudhës 2002-2006, Skoro u dha informacione autoriteteve për persona të lidhur me rrjete terroriste, ndërsa dokumentet e FBI-së e përshkruajnë si informator në një hetim që kishte në fokus Osama bin Ladenin.
Pas përfundimit të kësaj periudhe, Skoro u dëbua në Kosovë në vitin 2007. Ai pretendon se më pas CIA e udhëzoi të vazhdonte punën e tij në mënyrë të fshehtë, duke u infiltruar në rrjete të Al-Kaedës, transmeton Zeri.info.
Sipas deklarimeve të tij, nga viti 2007 deri më 2009 ai udhëtoi në disa vende të Lindjes së Mesme dhe punoi nën mbulim, përfshirë kontakte me persona të lidhur me organizata terroriste.
Ai pretendon gjithashtu se ndihmoi në arrestimin e Betim Kaziu, një person i dënuar në SHBA me 27 vjet burg pasi kishte tentuar të siguronte armë për grupin terrorist al-Shabaab. Sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë, Skoro i kishte dhënë një oficeri të CIA-s informacion për vendndodhjen e Kaziu në Kosovë, duke kontribuar në arrestimin e tij.
Skoro ka deklaruar edhe se kishte ndihmuar në parandalimin e disa planeve terroriste dhe se kishte informuar autoritetet amerikane për rrjete armësh dhe financimi të grupeve ekstremiste.
Megjithatë, CIA dhe FBI nuk kanë komentuar publikisht për pretendimet e tij, pavarësisht kërkesës së CBS News për një qëndrim.
Çështja e tij është bërë edhe më e ndërlikuar për shkak të një vendimi të vitit 2022.
Një gjykatë federale amerikane atëherë e ndaloi dëbimin e Skoros drejt Kosovës, pasi ai argumentoi se mund të torturohej ose të vritej nëse kthehej në vend për shkak të punës së tij të pretenduar si informator dhe agjent në operacionet kundër grupeve terroriste.
Vendimi u bazua në Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër Torturës. Megjithatë, kjo mbrojtje nuk i dha atij automatikisht leje qëndrimi të përhershëm në SHBA.
Tani avokatët e tij pretendojnë se ICE nuk mund ta dëbojë atë pa kaluar përmes procedurave të kërkuara ligjore.
Më 4 gusht, një ditë pas arrestimit, avokatët e Skoros paraqitën një kërkesë në gjykatën federale për ndalimin e dëbimit. Një kërkesë e ndryshuar është paraqitur më 17 gusht.
Gjykatësi federal Robert Kirsch i ka kërkuar qeverisë amerikane të përgjigjet lidhur me rastin.
Nga qendra e paraburgimit në New Jersey, Skoro i ka thënë CBS News se ndihet i tradhtuar nga autoritetet amerikane.
“Unë kurrë nuk mendova se do të më tradhtonin kështu”, ka deklaruar ai.
Ai ka shprehur frikën se kthimi në Kosovë mund t'i kushtojë jetën, transmeton Zeri.info.
“Ju lutem, nëse vdes, dua të vdes në këtë vend që fëmijët e mi të më varrosin”, ka thënë Skoro për CBS News.
Bashkëshortja e tij, Susan Skoro, e cila ishte me të kur u arrestua në zyrën e emigracionit në New Jersey, ka thënë se familja është e shqetësuar për sigurinë e tij në rast të dëbimit.
“Askund nuk mund të dëbohet në mënyrë të sigurt. Ne gjithmonë shikojmë pas shpine”, ka deklaruar ajo.
Rasti i Blerim Skoros është raportuar tashmë edhe nga media të tjera ndërkombëtare, përfshirë The Times, Anadolu Agency dhe media të tjera, duke e kthyer historinë e kosovarit në një çështje me interes ndërkombëtar. /Zëri