Vuletiq: Hapja e urës është pjesë e marrëveshjeve të arritura në Bruksel e Ohër
Kryetari i Forumit Demokratik Qytetar, Zoran Vuletiq, tha se hapja e urës kryesore mbi Ibër dhe zvogëlimi gradual i pranisë së përhershme të KFOR-it janë në përputhje me marrëveshjet e arritura në dialog. Në kundërshtim me qëndrimin e autoriteteve në Beograd, ai konsideron se ky proces tregon se situata në terren po lëviz në drejtimin e duhur.
Pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i kërkoi sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, që KFOR-i ta pengojë hapjen e urës kryesore mbi Ibër për qarkullimin e automjeteve, NATO-ja deklaroi se çdo vendim eventual duhet t’i marrë parasysh nevojat e të gjitha komuniteteve lokale.
Një zyrtar i NATO-s tha se Rutte është në kontakt të rregullt me Vuçiqin. Presidenti i Serbisë pretendon se asnjëherë nuk është arritur pajtim për hapjen e urës dhe se një veprim i tillë mund ta rrezikojë më tej popullsinë serbe në veri të Kosovës.
Qëndrimi zyrtar i Beogradit është se parakushtet e dakorduara më herët nuk janë përmbushur dhe se hapja e urës mund t’i shtojë tensionet dhe ndjenjën e pasigurisë te serbët. Nga Bashkimi Evropian kërkohet që vendimi të merret përmes një marrëveshjeje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe pas një vlerësimi gjithëpërfshirës të sigurisë.
Nga opozita proevropiane në Serbi, ndërkaq, vijnë kritika se pushteti nuk ka një politikë të qartë dhe të qëndrueshme ndaj Kosovës. Përfaqësuesit e saj vlerësojnë se interesat e komunitetit serb nuk mund të mbrohen në mënyrë efektive pa bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe pa zbatimin e detyrimeve të marra.
Vuletiq: Procesi po lëviz në drejtimin e duhur
Kryetari i Forumit Demokratik Qytetar, Zoran Vuletiq, konsideron se hapja e urës dhe zvogëlimi gradual i pranisë së përhershme të KFOR-it janë pjesë e procesit të dakorduar në Bruksel dhe Ohër.
“Besoj se hapja e urës mbi Ibër dhe tërheqja graduale e KFOR-it janë në përputhje me marrëveshjet, Marrëveshjet e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit. Kjo tregon se gjërat po lëvizin në drejtimin e duhur, pavarësisht mënyrës se si kjo u paraqitet serbëve në Serbi dhe komunitetit serb në Kosovë”, tha Vuletiq për RTK-në.
Duke iu drejtuar NATO-s dhe Bashkimit Evropian, Vuçiqi i akuzoi vendet perëndimore se nuk kujdesen sa duhet për sigurinë e serbëve në Kosovë, ndërsa autoritetet në Prishtinë i akuzoi për “terror ndaj popullsisë serbe”.
Sipas Vuletiqit, pushteti dhe pjesa më e madhe e skenës politike në Serbi e mbajnë gjallë narrativin se serbët në veri të Kosovës janë të ekspozuar ndaj terrorit sistematik. Ai nuk e mohon se ka incidente që kërkojnë reagim institucional, por konsideron se Beogradi i përdor rastet individuale për të krijuar pamjen e një rrezikimi të përgjithshëm dhe të përhershëm.
Një politikë e tillë, sipas tij, i dëmton më së shumti serbët në Kosovë, të cilëve nuk u flitet hapur për rrethanat e ndryshuara, pasojat e politikës së Serbisë gjatë viteve ’90 dhe detyrimet e pranuara në dialog.
“Më së shumti janë dëmtuar serbët në Kosovë, por edhe qytetarët e Serbisë, sepse tashmë 26 vjet nuk u thuhet e vërteta se ky është përfundimi i një procesi që nisi me politikën e Millosheviqit gjatë viteve ’90, për shkak të së cilës luftuam në vitin 1999 dhe iu nënshtruam bombardimeve. Ky është çmimi përfundimtar që do të duhet ta paguajmë si shoqëri”, deklaroi Vuletiq.
Ai paralajmëron se Serbisë nuk i nevojitet një politikë e bazuar në ruajtjen e frikës dhe në narrativa të njëanshme.
“Nëse nuk arrijmë sa më shpejt të paktën te një pjesë e logjikës së shëndoshë politike dhe te strukturat që do të merreshin me politikë në bazë të së vërtetës, nuk na pret asgjë e mirë. Do të mbetemi një shoqëri e frustruar, ksenofobe dhe e izoluar, e cila nuk mirëkuptohet me fqinjët në rajon, e veçanërisht me botën perëndimore drejt së cilës deklarativisht synojmë të shkojmë”, tha Vuletiq.
Marrja e përgjegjësisë
Çështja e urës ka rihapur një debat më të gjerë për politikën e Serbisë ndaj Kosovës, marrëdhëniet me vendet fqinje dhe përgjegjësinë për vendimet e së kaluarës. Vuletiq konsideron se Serbia duhet të heqë dorë nga pritja që aktorët ndërkombëtarë të marrin vazhdimisht përgjegjësi për vendimet e saj politike dhe të sigurisë.
“Do të ishte e nevojshme dhe e dëshirueshme që Serbia dhe shoqëria serbe të dilnin nga ajo pozitë infantile, në të cilën u duhet vazhdimisht një kujdestar dhe në të cilën tani pyesin pse po tërhiqet KFOR-i dhe pse NATO-ja nuk mbetet përgjithmonë në veri të Kosovës”, tha Vuletiq.
Sipas tij, ka ardhur koha që shteti dhe qytetarët e Serbisë të marrin përgjegjësi për veprimet e tyre, por mbi të gjitha për të ardhmen e komunitetit serb në Kosovë, të Serbisë dhe të të gjithë rajonit. /rtk