Pacolli dhe Lushtaku nënshkruajnë marrëveshjen 4.4 milionë euroshe për banim social në Skenderaj
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka njoftuar se është nënshkruar marrëveshja për financimin e programeve të banimit, përmes së cilës do të mundësohet bashkëfinancimi i Objektit Ç në kuadër të kompleksit UÇK.
Marrëveshja është nënshkruar me ministren e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ndërsa vlera e projektit kap shumën prej 4.4 milionë eurosh, e kredituar nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës.
Sipas kryetarit të Komunës, projekti është pjesë e programit të Banimit Social Adekuat dhe do të jetë i dedikuar me prioritet për familjet e dëshmorëve të Komunës së Skenderajt.
Ai e ka cilësuar këtë projekt si një obligim institucional dhe moral ndaj familjeve që, siç ka thënë, dhanë më të shtrenjtën për lirinë e Kosovës.
Kryetari ka bërë të ditur gjithashtu se synimi është që të realizohet edhe Objekti K, me qëllim të kompletimit të kompleksit UÇK dhe përmbushjes së zotimeve ndaj familjeve të dëshmorëve.