Çerdhja në Mazgit pritet të nisë punën me kapacitet të plotë nga 1 shtatori
Foto: Laura Hasani

Çerdhja në Mazgit pritet të nisë punën me kapacitet të plotë nga 1 shtatori

Aktuale August 23, 2026 - 21:34

Çerdhja publike në Mazgit të Obiliqit, e cila u hap në shtator të vitit të kaluar dhe funksionoi vetëm për dy muaj, pritet të nisë punën me kapacitet të plotë nga 1 shtatori. Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, thotë se tashmë është instaluar trafoja elektrike dhe është funksionalizuar kuzhina.

Çerdhja publike në Mazgit të Obiliqit u hap në shtator të vitit të kaluar, por funksionoi vetëm për dy muaj. Për qëndrim ditor dhe edukim ishin pranuar 120 fëmijë, të cilët, sipas kryetarit të komunës, në mungesë të kushteve të plota për funksionim, qëndronin vetëm dy orë gjatë ditës.

“Nuk ka pasur energji elektrike, e ka pasur vetëm një orë ose matës rryme, i cili është për shtëpi dhe jo për një objekt siç është çerdhja”, tha kryetari i Obiliqit, Halil Thaçi, sipas të cilit as kushtet e brendshme brenda çerdhes nuk kanë qenë adekuate.

Pas mbylljes, stafi u shpërnda në çerdhet e tjera publike. Çerdhja ishte përuruar nga drejtoresha e atëhershme e Arsimit në Komunën e Obiliqit, Fitore Hashani. Ajo, përmes një përgjigjeje me shkrim, thotë se objekti kishte energji elektrike dhe se, bazuar në studimet dhe pëlqimet elektrike të KEDS-it, për të ardhmen ishte rekomanduar instalimi i një trafoje të veçantë vetëm për nevojat e kopshtit.

Hashani thotë se kopshti nuk ishte mbyllur, por se në nëntor të vitit 2025, kur temperaturat pësuan rënie, ishte e vështirë të ngroheshin mjaftueshëm hapësirat e tij.

Sipas saj, në koordinim me stafin, Drejtorinë Komunale të Arsimit dhe prindërit, ishte vendosur që fëmijët të merrnin një pushim dimëror prej 10 ditësh, deri në përfundimin e procedurave për blerjen e trafos elektrike.

Hashani thotë se këto procedura ishin ndërprerë nga qeverisja e Thaçit, me arsyetimin se trafoja do të sigurohej përmes donacionit nga KEK-u dhe KEDS-i.

Por, kryetari Thaçi thotë se KEDS-i tashmë ka instaluar trafon e nevojshme në çerdhe. Po ashtu, sipas tij, është funksionalizuar edhe kuzhina dhe sipas tij, çerdhja do të nisë punën me kapacitet të plotë më 1 shtator./rtk