Kabashi-Ramaj: Kosova rrezikon të rrëshqasë drejt autokracisë
Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, ka reaguar lidhur me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke thënë se vendi po vazhdon pa institucione të konstituuara.

Nga salla e Kuvendit, ajo tha se deputetët zgjidhen për të punuar dhe se asnjë fitore zgjedhore nuk i jep të drejtën asnjë partie të vendosë mbi Kushtetutën e Kosovës.

“Edhe sot nuk është thirrur seanca për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Edhe sot Kosova vazhdon pa institucione të konstituuara. Dhe kjo duhet të na me alarmojë të gjithëve. Ne jemi zgjedhur për të punuar, por si deputetë, në vend që të jemi në seancë duke u marrë me problemet e juve qytetarë, jemi duke kërkuar që shteti të funksionojë së pari. Asnjë fitore zgjedhore nuk i jep askujt të drejtën ta vendosë veten mbi Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Asnjë lider nuk është mbi shtetin. Asnjë parti nuk është mbi Kosovën”, tha ajo.

Kabashi-Ramaj tha se ajo që është duke ndodhur në vend është krizë shtetërore e shkaktuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Ajo që po ndodh këtu është një krizë shtetërore e shkaktuar nga partia se cilës qytetarët ia kanë dhënë përgjegjësinë për t’i konstituuar institucionet, por që në realitet ka vendosur ta mbajë krejt shtetin tonë peng. E pasojat i ndjen pacienti që pret trajtim dhe mjeku që punon në kushte të vështira, i ndjen polici, ushtari, zjarrfikësi që mbrojnë vendin por vazhdojnë pa sigurim të mirëfilltë shëndetësor dhe jetësor. I ndjen mësuesi, studenti që pyet a ka të ardhme këtu më, fermeri që pret mbështetjen e shtetit për të cilën ka shumë nevojë, biznesi që kërkon stabilitet për t’u zhvilluar. Ju, qytetarë të Republikës së Kosovës, po e paguani çmimin e një shteti që nuk po lejohet me u funksionalizuar. E rreziku që po i kanoset Kosovës sonë dhe demokracisë që me atë shumë mund e sakrificë e kemi krijuar është shumë i madh. Demokracia nuk zhbëhet domosdoshmërisht brenda një nate. Ajo fillon të dobësohet kur një lider nuk i pranon më kufijtë që ia vendos Kushtetuta e Republikës së Kosovës, kur Kuvendi mbahet jofunksional dhe s’ka mbikëqyrje, kur pushteti përqendrohet gjithnjë e më shumë dhe institucionet që duhet ta kontrollojnë atë dobësohen”, tha Kabashi-Ramaj.
