Bjeshkët e Deçanit po zbrazen, lëndinat po mbulohen nga molikat

Bjeshkët e Deçanit po zbrazen, lëndinat po mbulohen nga molikat

Aktuale August 16, 2026 - 23:28

Në të kaluarën, jo shumë të largët, këto bukuri përrallore të bjeshkëve të Deçanit, gjatë muajve të verës, ishin të banuara nga një numër i madh banorësh të kësaj ane. Bjeshkët e pasura me kullosa ishin të mbushura edhe me bagëti. Por, me kalimin e viteve, numri i tyre ka pësuar rënie drastike.

Banorët e paktë që sot ngjiten në bjeshkë gjatë muajve të verës, e kujtojnë me nostalgji kohën kur stanet ishin plot me njerëz, ndërsa bjeshkët me tufa bagëtish.

“Kënaqësia ka qenë shumë e madhe. Ka pasur burra, gra e fëmijë, ndërsa sot nuk i sheh. Jemi tri stane, nga dy anëtarë, në gjithë këtë bjeshkë, në këtë pasuri që na e ka falur Zoti. Por, ne nuk jemi duke ia ditur rëndësinë. Këtu fëmija i ka bërë tre muaj verë dhe një vit injeksion nuk ka marrë”, tha Xen Ferizi, blegtor.

Edhe për Adem Matajn, boshatisja e bjeshkëve është pasojë e largimit të banorëve dhe braktisjes së blegtorisë.

“Pak banorë po dalin tash. Përpara ishin mbushur stanet me banorë. Ka pasur fëmijë, dele e lopë, sepse blegtoria ka qenë në kulm. Tash popullata ka ikur, ka marrë mërgimin. Për çudi, investime ka shumë në bjeshkë, por banorë ka pak. Vendi është shumë i bukur. Këtë ajër të bjeshkëve të Deçanit nuk e di kush e ka, uji është i mirë, ajri i pastër, rrugët janë të mira, por interesimi i popullatës nuk është më. Janë larguar nga blegtoria. Vijnë si turistë dhe qëndrojnë nga një apo dy net”, theksoi Adem Mataj.

Por, përveç zbrazjes së bjeshkëve, mungesa e bagëtive po lë gjurmë edhe në natyrë. Lëndinat dhe kullosat, që dikur mirëmbaheshin nga tufat e bagëtive, sot po mbulohen gradualisht nga molikat.

“Këtu, unë i mbaj mend rreth 30 tufa delesh, me nga 100 krerë, por tash nuk janë. Kjo mua po më brengos. Pse nuk po i mbajnë, kur kanë mundësi? Ne përpara kemi ardhur në këmbë, me qerre e me kuaj, ndërsa tash me makinë mund të shkosh deri te stani dhe prapë nuk i mbajnë. Për çfarë arsyeje, unë nuk po mund ta kuptoj këtë popullatë. Shihe këtë bukuri! Krejt ka qenë lëndinë, ndërsa tash shih si është bërë. Kafshët e kanë mbajtur bjeshkën. Edhe pak dhe krejt do të mbulohet”, tha Beqir Shehu.

Të njëjtën pamje e kujton edhe Halil Mataj. Ai thotë se dikur, nga bjeshkët deri në majën e Rupës, shtrihej një hapësirë te madhe kullosash.

“Deri në majën e Rupës krejt ka qenë lëndinë. Tash, pas luftës, bagëti nuk ka, sepse bagëtia e ka mbajtur bjeshkën. Siç po e shihni, është mbyllur edhe kjo lëndinë. Ka qenë kënaqësi, edhe pse me kushte të vështira. Me bagëti, barinjtë uleshin te Kroni i Sheremetit, bisedonin derisa shpërndaheshin nëpër bjeshkë bashkë me bagëtinë”, tha Halil Mataj.

Sipas zyrtarëve të Komunës së Deçanit, në vitet ’90 vetëm në bjeshkët e kësaj komune numri i bagëtive kalonte mbi 20 mijë krerë. Sot, kjo shifër është shumë më e ulët, ndërsa bashkë me braktisjen e blegtorisë po ndryshon edhe peizazhi i bjeshkëve të Deçanit.