PDK-ja e AAK-ja refuzojnë takimin me Haxhiun, LDK-ja ende s’jep përgjigje
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë refuzuar një takim të thirrur nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu. Lidhja Demokratike e Kosovës deri në këto momente nuk e ka bërë publike përgjigjen e saj.
Takimi, i cili është caktuar të mbahet më 18 gusht, të martën, nga ora 09:00 në Zyrën e Presidentes, u tha se do të fokusohet në çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Ftesa e Haxhiut erdhi pasi takimet e ftuara më herët nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ishin refuzuar nga partitë opozitare.
Fillimisht, kreu i AAK-së, Ardian Gjini konfirmoi se nuk do të marrë pjesë në këtë takim, duke i thënë Haxhiut se ajo nuk mund ta luajë rolin e unifikueses së spektrit politik, duke vënë në pikëpyetje mandatin e saj për një rol të tillë.
“Ju nuk jeni presidente e zgjedhur e Kosovës dhe nuk keni mandat të luani rolin e unifikueses së spektrit politik”.
Gjini ka kritikuar Haxhiun dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, se përmes këtij takimi nuk po synojnë gjetjen e një zgjidhjeje, por të fajtorëve për një vendim që, sipas tij, tashmë është marrë për dërgimin e vendit në zgjedhje.
“Ju e Kurti jeni tepër të tejdukshëm se nuk po kërkoni takim për të gjetur zgjidhje. Po kërkoni takim të gjeni fajtor për vendimin tuaj që veçse e keni marrë për ta dërguar vendin në zgjedhje. Këtë herë edhe në kaos institucional. Qëllimi juaj ëshë më shumë se kaq. Ju doni ta zvarrisnj këtë bllokadë deri te data që ju konvenon që të mbahen zgjedhjet. Aleanca e ka kuptuar këtë lojë dhe nuk ju jep alibi. Po t’i donit vërtet votat dhe kuorumin, i keni gjashtë pikat e Aleancës”, shkroi Gjini në letër.
Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Uran Ismaili ka thënë se “ky është manipulim i radhës nga Lëvizja Vetëvendosje”.
“E para, kjo është edhe një tentativë, të themi, e manipulimit të zoti Kurti me shtyrjen e afateve, kundrejt afateve të Gjykatës Kushtetuese. Pra, është një manipulim i radhës. Zonja Albulena Haxhiu, më mirë kishte me qenë t’i kishte shkruar letër zotit Avni Deharit, që ta thërrasë Kuvendin, sepse çdo pushtet në Kosovë, çdo funksion në Kosovë, politik, funksionon dhe bazohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës është i suspenduar”, tha ai.
Mes tjerash, ai ka bërë me dije se grupi parlamentar i kësaj partie ka kërkuar nga Dehari që ta thërrasë seancën konstituive më 16 gusht.
Partitë opozitare kanë kritikuar vazhdimisht Lëvizjen Vetëvendosje për refuzimin e propozimit të kandidatit për kryetar të Kuvendit, ndonëse, ajo i ka votat e nevojshme për zgjedhjen e tij.
Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se nuk do të lidhë marrëveshje politike me Vetëvendosjen, e cila i ka ofruar vetëm tri ministri. LDK-ja ka bërë të ditur se është e gatshme të votojë një kandidat konsensual për president.