Zjarret në Shqipëri dhe Evropë, Von der Leyen: Situata po monitorohet nga afër, BE-ja në gatishmëri të lartë
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka reaguar për situatën e zjarreve që po përfshijnë disa vende të Evropës, duke përmendur edhe Shqipërinë si një nga shtetet ku presioni nga vatrat e zjarrit është në rritje.
Përmes një postimi në rrjetin social X, von der Leyen ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian po monitoron nga afër zhvillimet, ndërsa sistemi satelitor Copernicus po përdoret për të mbështetur operacionet e hartëzimit në disa prej vendeve të prekura.
“Evropa mbetet në gatishmëri të lartë për zjarret masive. Presioni po rritet në Belgjikë, Shqipëri, Serbi, Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë”, ka shkruar ajo.
Von der Leyen ka theksuar se Copernicus tashmë po mbështet operacionet e hartëzimit në Spanjë, Shqipëri, Greqi, Francë, Gjermani dhe Serbi.
Sipas saj, përmes Qendrës së Emergjencave, institucionet evropiane po monitorojnë vazhdimisht situatën e zjarreve në të gjithë kontinentin.
Ajo ka rikujtuar gjithashtu se Mekanizmi i Mbrojtjes Civile i Bashkimit Evropian është në dispozicion për çdo shtet që kërkon ndihmë dhe solidaritet në përballjen me zjarret.
Vendet e Evropës Jugore dhe Ballkanit po përballen me temperatura të larta dhe vatra të shumta zjarri, ndërsa autoritetet vazhdojnë operacionet për lokalizimin dhe shuarjen e tyre.