Çitaku: Nuk jemi këtu për të bërë puç, por për t’i thënë Kurtit “eja në Kuvend e formoj institucionet”
Foto: Laura Hasani

Çitaku: Nuk jemi këtu për të bërë puç, por për t’i thënë Kurtit “eja në Kuvend e formoj institucionet”

Aktuale August 13, 2026 - 08:21

Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, së bashku me deputetë të tjerë, po qëndron para objektit të Qeverisë së Kosovës, ku ka deklaruar se qëllimi i tyre është kërkesa për respektimin e Kushtetutës, ligjit dhe funksionimit demokratik të institucioneve.

Çitaku tha se objekti i Qeverisë është uzurpuar dhe se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duhet të jetë në Kuvend për themelimin e tij dhe të institucioneve të reja, transmeton Zeri.info.

“Ne këtu jemi me një qëllim të vetëm, të kërkojmë rivendosjen e ligjit, Kushtetutës dhe demokracisë në vend. Kjo ndërtesë këtu është Qeveria e Kosovës, në të cilën edhe unë dhe shumë prej nesh kemi pasur nderin të shërbejmë. Nuk ka privilegj e nder më të madh sesa të kesh mundësi t’i shërbesh vendit tënd, mirëpo nuk ka edhe krim më të madh sesa kur besimi qytetar keqpërdoret dhe zyrat e popullit uzurpohen”, deklaroi Çitaku.

Ajo tha se këto zyra, sipas saj, janë uzurpuar nga një deputet dhe se të njëjtën të drejtë për të qëndruar aty e kanë edhe deputetët e tjerë.

“Ai [Albin Kurti] duhet të jetë në Kuvend për ta themeluar Kuvendin dhe institucionet. Ne nuk jemi këtu për të bërë puç, por për t’i thënë Albin Kurtit: eja në Kuvend, shumicën e ke, ndërtoje Qeverinë dhe ecim tutje”, tha Çitaku.

Sipas saj, jashtë Kuvendit janë marrë vendime pa mbikëqyrje parlamentare dhe pa mandat.

“Por ai, në mënyrë të jashtëligjshme, pa asnjë mbikëqyrje parlamentare, ka marrë vendime pa asnjë mandat”, u shpreh Çitaku. /Zëri