Deliu-Kodra për komunikatën e djeshme të Kuvendit: Institucioni është marrë peng nga LVV-ja, do të takohemi me Sekretaren
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka kritikuar komunikatën e publikuar mbrëmë nga Kuvendi i Kosovës, duke e cilësuar atë si “skandaloze”.
Ajo tha se veprimet e PDK-së në Kuvend kanë qenë të orientuara drejt, siç u shpreh, rikthimit të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.
“Zhvillimet në Kuvend kanë qenë në përpjekjet tona për me rikthy ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë. Kemi pa një komunikatë skandaloze të Kuvendit. Fatkeqësisht, Kuvendi është marrë peng prej një partie politike, e cila provon që përmes diktatit të nënshtrojë edhe administratën e Kuvendit”, tha Deliu-Kodra.
Duke iu referuar komunikatës së Kuvendit, e cila sqaronte se vizita në sallën plenare ishte ndërprerë për disa minuta pasi deputetë të PDK-së dhe AAK-së kishin zënë sallën në një kohë kur nuk ishte thirrur seancë, Deliu-Kodra tha se Kuvendi nuk i përket një partie të vetme politike.
“Dua të ndaj me ju një shqetësim se ky Kuvend nuk është i një partie politike, por Kuvendi është dhe i takon të gjithë deputetëve të zgjedhur të parlamentit, që janë betuar në këtë parlament. Nuk mundet që një parti politike ta shantazhojë administratën e Kuvendit”, deklaroi ajo.
Deliu-Kodra bëri të ditur se lidhur me këtë çështje do të zhvillojë takim me sekretarin e Kuvendit, së bashku me dy deputetë të tjerë.
“Për këtë do të takohemi me sekretarin, bashkë me dy kolegët e mi, sepse ky institucion nuk guxon të merret peng nga një parti politike”, tha Deliu-Kodra.