Rama i përgjigjet Vuçiqit për Ibrin: Pranoni kufijtë që tashmë janë aty
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas debatit të ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Serbisë për lumin Ibër dhe çështjen e Kosovës, duke kritikuar retorikën e Beogradit për “Shqipërinë e Madhe” dhe pretendimet ndaj Kosovës.
Rama e ka cilësuar debatin si një “shkëmbim shumë interesant veror”, duke thënë se diskutimi, në vend se të përqendrohej tek Ibri, kaloi nga hidrologjia te e drejta ndërkombëtare, “Shqipëria e Madhe” dhe “Kosova e Metohia”.
Sipas tij, në Beograd ekziston një “folklor politik” që vazhdon të rikthejë konceptin e “Shqipërisë së Madhe” sa herë që Shqipëria flet për Kosovën.
“Shqipëria nuk ka absolutisht asnjë pretendim ndaj territorit serb dhe nuk ka nevojë të shpikë një të tillë. As nuk kemi nevojë për një ‘Shqipëri të Madhe’ për të qëndruar në krah të Kosovës”, shkroi Rama.
Ai ka theksuar se Kosova është shtet më vete dhe se shqiptarët e Kosovës kanë institucionet dhe të drejtën për të përcaktuar të ardhmen e tyre.
“Serbia e humbi Kosovën. Përsëritja se nuk e ka humbur mund ta kthejë disfatën në fitore në gjeografinë e imagjinatës politike, por fatkeqësisht hartat janë më pak tolerante”, deklaroi Rama.
Kryeministri shqiptar ka shtuar se territori i Republikës së Kosovës nuk është territor i Serbisë dhe se pasuritë natyrore që ndodhen në të nuk janë pasuri të Republikës së Serbisë.
Duke iu rikthyer çështjes së lumit Ibër, Rama ka thënë se çështja kryesore mbetet natyra e tij si sistem ujor ndërkufitar.
“Serbia është plotësisht e lirë të menaxhojë burimet brenda juridiksionit të saj. Ajo që nuk mund të pretendojë në mënyrë të arsyeshme është se pasojat e mundshme për një shtet tjetër ndalen në mënyrë magjike në kufirin serb”, shkroi ai.
Rama ka theksuar se pikërisht për këtë arsye ekziston e drejta ndërkombëtare për ujërat, duke shtuar se lumenjtë “kanë zakonin e bezdisshëm të ndjekin gjeografinë dhe jo narrativat diplomatike”.
Në reagimin e tij, Rama është ndalur edhe te komuniteti serb në Kosovë, duke thënë se të drejtat, siguria, prona, gjuha dhe trashëgimia kulturore e fetare e tij duhet të mbrohen.
“Shqipëria nuk ka pasur kurrë vështirësi ta thotë këtë, sepse kjo është thjesht ajo që një shtet demokratik u detyrohet qytetarëve të tij”, shkroi Rama.
Rama ironizoi argumentin se Shqipëria duhet të paralajmërohet për “ekspansionizëm etnik”, ndërsa në të njëjtën kohë Kosova përshkruhet si territor i Serbisë.
“Ky është një rreth që është vështirë të mbyllet”, ka shkruar ai, duke shtuar se një qasje e tillë mund të funksionojë “brenda një flluske politike në Serbi”, por jo jashtë saj.
Ai ka thënë se pajtohet që e ardhmja e rajonit duhet të jetë një Evropë ku kufijtë humbin gradualisht fuqinë për të ndarë njerëzit.
“Por ka një parakusht të vogël para se kufijtë të bëhen më pak të rëndësishëm: pranimi i atyre që tashmë janë aty”, deklaroi Rama.
Sipas tij, projekti evropian është ndërtuar pikërisht mbi ndarjen e përkatësisë kombëtare nga “oreksi territorial”.
Rama ka përsëritur se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Kosovën dhe Republikën e saj, duke theksuar lidhjet historike, gjuhësore dhe familjare mes shqiptarëve.
“Shqiptarët e Kosovës janë shqiptarë të Kosovës. Shqipëria do të qëndrojë me ta dhe me Republikën e tyre, sepse ndajmë historinë, gjuhën, familjet dhe një të ardhme, por mbi të gjitha sepse një Kosovë e lirë, demokratike dhe e sigurt është një shtet legjitim evropian dhe pjesë e domosdoshme e stabilitetit të rajonit”, ka shkruar ai.
Në fund, Rama ka thënë se Shqipëria dëshiron marrëdhënie të mira me Serbinë dhe që i gjithë rajoni të jetë pjesë e Evropës, përfshirë Serbinë.
“Por fqinjësia e mirë nuk mund të nënkuptojë t’i kërkosh çdo fqinji të Serbisë të zhvendoset përgjithmonë në versionin serb të historisë”, ka përfunduar Rama.
Ai ka shtuar se, ndërsa politikanët vazhdojnë debatet për historinë dhe kufijtë, lumi Ibër do të vazhdojë të rrjedhë sipas gjeografisë dhe jo sipas “folklorit”. /Zëri
Very interesting summertime exchange between our foreign ministers. Although I was expecting an answer about the #Ibër, we somehow travelled from hydrology to international law, made the obligatory stop at “Greater Albania”, passed through “Kosovo and Metohija”, and eventually…
— Edi Rama (@ediramaal) August 10, 2026