“Trepça” suspendon përkohësisht dy punonjës, dyshohet se organizuan transportin e xehes jashtë orarit
Foto: Laura Hasani

“Trepça” suspendon përkohësisht dy punonjës, dyshohet se organizuan transportin e xehes jashtë orarit

Aktuale August 10, 2026 - 12:23

Kryeshefi ekzekutiv i “Trepçës” SHA ka marrë vendim për largimin e përkohshëm nga puna të dy punonjësve të njësisë biznesore “Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë”.

Sipas njoftimit të “Trepçës”, vendimi është nxjerrë më 10 gusht 2026, me numër protokolli 7134, ndërsa punonjësit me inicialet Z.R. dhe H.K. janë larguar përkohësisht nga puna nga kjo datë deri në marrjen e një vendimi nga Komisioni Disiplinor.

“Trepça” ka bërë të ditur se vendimi është marrë pas dyshimeve të bazuara se dy punonjësit kanë vepruar në kundërshtim me autorizimet e dhëna, duke organizuar transportimin e xehes jashtë orarit të rregullt të punës.

“Për rrjedhojë, ekziston dyshimi se janë kryer shkelje të rënda të detyrave të punës”, thuhet në njoftim.

Sipas “Trepçës”, dyshimet lidhen me Nenin 10, paragrafët 1.1, 1.3 dhe 1.9 të Rregullores për Përgjegjësinë Disiplinore dhe Materiale të Punonjësve të “Trepçës” SHA.

Rasti pritet të shqyrtohet nga Komisioni Disiplinor, i cili do të marrë vendimin përfundimtar lidhur me përgjegjësinë e punonjësve. /Zëri