KFOR-i po ia përcjell përgjegjësitë Policisë së Kosovës për sigurinë e Manastirit të Deçanit
KFOR-i ka njoftuar se ka nisur sot integrimin gradual të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së misionit të NATO-s në Manastirin e Deçanit.
Në një komunikatë për media, KFOR-i thotë se ky hap vjen në kuadër të procesit për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it, pas përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.
Sipas KFOR-it, procesi do të zhvillohet në mënyrë graduale dhe në bazë të kushteve të sigurisë, ndërsa është duke u koordinuar ngushtë me përfaqësues të Kishës Ortodokse serbe, institucioneve të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), transmeton Zeri.info.
Në njoftimin e KFOR-it theksohet se përkushtimi i misionit për sigurinë e Manastirit të Deçanit dhe për mbrojtjen e të gjitha komuniteteve lokale mbetet i pandryshuar.
“KFOR-i mbetet reaguesi i parë për sigurinë e Manastirit të Deçanit”, thuhet në njoftim.
KFOR-i ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse serbe, institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare dhe Forcat e Armatosë të Serbisë, me qëllim ruajtjen e transparencës, bashkëpunimit dhe besimit të ndërsjellë, si dhe shmangien e keqkuptimeve.
Misioni i NATO-s ka bërë thirrje që të gjitha palët të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe bashkëpunim.
KFOR-i thekson se vazhdon ta përmbushë mandatin e tij, në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, duke kontribuuar në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes.
Sipas KFOR-it, misioni do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, secili brenda rolit dhe përgjegjësive përkatëse si reagues në fushën e sigurisë. /Zëri