Geci paralajmëron kallëzim penal ndaj Kurtit dhe Haxhiut për cenim të rendit kushtetues
Gani Geci, ka paralajmëruar se do të paraqesë kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës ndaj kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe deputetes Albulena Haxhiu, lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Në një deklaratë publike, Geci ka thënë se, bazuar në leximin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KO124/25, dyshon se veprimet ose mosveprimet e Kurtit dhe Haxhiut mund të kenë cenuar rendin kushtetues të Kosovës dhe mund të përmbajnë elemente të veprave penale.
“Unë, duke e lexuar Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. KO124/25, po dyshoj se vetë Lëvizja Vetëvendosje, z. Albin Kurti dhe znj. Albulena Haxhiu, me veprimet ose mosveprimet e tyre, mund të kenë cenuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe mund të kenë konsumuar elemente të veprave të tjera penale”, ka shkruar Geci.
Sipas tij, kallëzimi penal do të dorëzohet në Prokurorinë Speciale dhe do të kërkohet që organet kompetente të hetojnë nëse veprimet ose mosveprimet e personave të përmendur përmbajnë elemente të ndonjë vepre penale.
Në dokumentin e publikuar nga Geci, si të kallëzuar përmenden Albin Kurti, në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ushtruesit të detyrës së kryeministrit, si dhe Albulena Haxhiu, e cila aktualisht është deputete e Kuvendit të Kosovës. Geci kërkon që gjatë hetimeve të identifikohen edhe persona të tjerë që mund të kenë përgjegjësi.
Geci pretendon se pas zgjedhjeve të 7 qershorit 2026 dhe certifikimit të rezultateve më 8 korrik, kishte lindur detyrimi kushtetues për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e organeve drejtuese.
Ai i referohet edhe aktgjykimit KO124/25 dhe vendimeve pasuese të Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se moskonstituimi i Kuvendit brenda afateve të përcaktuara mund të ketë shkaktuar pengim të funksionimit normal të Kuvendit, vonesë të krijimit të institucioneve dhe cenim të funksionimit kushtetues të shtetit.
Në kallëzimin e paralajmëruar, Geci kërkon nga Prokuroria Speciale që të sigurojë aktgjykimin KO124/25 dhe vendimet pasuese të Gjykatës Kushtetuese, procesverbalet, transkriptet dhe incizimet e seancave konstituive, si dhe të intervistojë personat përgjegjës në procesin e konstituimit të Kuvendit.
Ai kërkon gjithashtu që Prokuroria të vlerësojë nëse ekzistojnë elemente të veprave penale të parapara në nenin 114 dhe nenin 414 të Kodit Penal të Kosovës, si dhe në dispozita të tjera ligjore.
Geci ka theksuar se vlerësimi përfundimtar i përgjegjësisë u takon organeve të drejtësisë.
“Në një shtet demokratik dhe juridik, askush nuk është mbi Kushtetutën dhe ligjin, prandaj vlerësimi përfundimtar i përgjegjësisë u takon vetëm Prokurorisë dhe gjykatave kompetente”, ka deklaruar ai.