IHMK-ja paralajmëron stuhi lokale dhe reshje shiu në disa zona sot
Instituti Hidrometeorologjik ka bërë të ditur se aktualisht në disa rajone të vendit janë zhvilluar vranësira konvektive, të njohura si Cumulonimbus, të cilat po krijojnë kushte për reshje lokale shiu, të shoqëruara me shkarkesa elektrike, erëra të përkohshme të fuqishme dhe në zona të izoluara edhe me breshër.
Sipas njoftimit meteorologjik, temperatura momentale në vend arrin rreth 32 gradë Celsius, ndërsa nxehtësia e akumuluar gjatë ditës dhe paqëndrueshmëria atmosferike po favorizojnë zhvillimin e mëtejshëm të këtyre dukurive.
“Pritet që këto zhvillime të vazhdojnë edhe gjatë orëve të ardhshme”, thuhet në njoftim, transmeton Zeri.info.
Reshjet nuk pritet të përfshijnë tërë territorin e Kosovës, por do të kenë karakter lokal, me intensitet të ndryshëm nga një zonë në tjetrën.
Qytetarëve u është bërë thirrje për kujdes gjatë lëvizjes në zonat ku mund të zhvillohen stuhi, ndërsa fermerëve u është rekomanduar të përcjellin parashikimet dhe njoftimet meteorologjike për shkak të mundësisë së reshjeve intensive dhe breshrit në disa lokalitete. /Zëri