Pas incidentit me vezë ndaj Kurtit, Feraj: Cilën veprimtari të Kadriajt ta kujtojmë?
Foto: Laura Hasani

Pas incidentit me vezë ndaj Kurtit, Feraj: Cilën veprimtari të Kadriajt ta kujtojmë?

Aktuale August 09, 2026 - 11:53

Pas incidentit në Kuvend, ku deputetja e Aleancës, Time Kadriaj, gjuajti me vezë në drejtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar edhe këshilltari i tij, Hysamedin Feraj.

Feraj, përmes një postimi, ka rikthyer në vëmendje të kaluarën e Kadriajt, duke përmendur përfshirjen e saj në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe duke ngritur akuza për raportet e saj të mëvonshme politike.

“Gati e kishim harruar se Time Kadriaj ka qenë në UÇK-në, ndoshta sepse me vite të tëra ka bashkëpunuar me kriminelin e luftës Milan Radoiçiç”, ka shkruar Feraj.

Ai më tej e lidh situatën me zhvillimet politike në veri të Kosovës dhe me qëndrimet e ndryshme të institucioneve ndaj Milan Radoiçiçit, duke bërë një krahasim mes qeverisjeve të kaluara dhe Qeverisë Kurti.

Sipas Ferajt, Radoiçiçi në të kaluarën kishte pasur ndikim të madh në veri, ndërsa Qeveria e udhëhequr nga Kurti e kishte ndjekur penalisht dhe shpallur në kërkim.

“E tani cilën veprimtari të Timës ta kujtojmë, atë që zgjati pak apo atë që po e zgjat shumë?”, përfundon Feraj, në një reagim që vjen pas përplasjes së fundit politike në Kuvend.