Shqipëria reagon për vizitën e Zelenskit në Serbi: Kosova dhe Ukraina nuk mund të vendosen në të njëjtin ekuacion
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar lidhur me vizitën e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski në Serbi, duke e cilësuar atë si një zhvillim të rëndësishëm, por duke theksuar njëkohësisht qëndrimin e Shqipërisë për Kosovën dhe Ukrainën.
“Vizita e Presidentit Zelenski në Serbi është e rëndësishme. Dialogu është gjithmonë i mirëpritur, veçanërisht kur krijon hapësirë për t'u përballur me qartësi, përgjegjësi dhe ndjeshmëri ndaj çështjeve të vështira”, thuhet në reagimin e Ministrisë.
Tirana nënvizon se mbështet në mënyrë të palëkundur sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe të ardhmen evropiane të Ukrainës, ndërsa qëndron po aq fort në mbështetje të sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës dhe integrimit të saj euroatlantik.
“Nuk duhet të ketë keqkuptime në këtë pikë: çdo përpjekje për të vendosur një paralele ose për të krijuar një ekuacion midis Kosovës dhe çdo situate tjetër ndërkombëtare është e gabuar, oportuniste dhe thellësisht çorientuese”, thekson Ministria e Jashtme.
Në reagim bëhet dallim i qartë mes rastit të Kosovës dhe agresionit rus ndaj Ukrainës.
"Rasti i Kosovës qëndron mbi themelet e veta historike, politike dhe ligjore. Me kërkesë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ishte e prerë: Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare. Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës është një çështje krejtësisht e ndryshme. Ai përbën një shkelje të rëndë të Kartës së OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare, si dhe një shkelje flagrante të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla".
Ministria e Jashtme e Shqipërisë thekson se një Ballkan Perëndimor paqësor, i qëndrueshëm dhe evropian kërkon, sipas saj, “pranimin e realitetit dhe pakthyeshmërisë së pavarësisë së Kosovës”.
“Pavarësia e Kosovës ka kontribuar në stabilitetin rajonal dhe është pjesë e një të ardhmeje në të cilën kufijtë nuk ndryshohen me forcë, dhe ku popujt dhe komunitetet mund të përcaktojnë të ardhmen e tyre në paqe dhe siguri”, vijon reagimi.
Tirana shprehet gjithashtu në mbështetje të një të ardhmeje të përbashkët evropiane për Serbinë dhe Kosovën.
“Normalizimi i marrëdhënieve mes tyre, që në fund çon në njohje të ndërsjellë, nuk do ta dobësonte Serbinë. Përkundrazi, do të ndihmonte në mbylljen e një prej kapitujve më të dhimbshëm të historisë së kohëve të fundit të rajonit tonë dhe do të hapte rrugën për pajtim të vërtetë, marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe paqe të qëndrueshme”, thekson Ministria.
Në fund, Ministria e Jashtme e Shqipërisë e sheh vizitën e Zelenskit në Serbi në funksion të interesave të Ukrainës, ndërsa vlerëson pozitivisht çdo përpjekje që e afron Serbinë me Evropën dhe e largon nga ndikimi rus.
“Vizita e Presidentit Zelenski në Serbi përparon para së gjithash, interesat e Ukrainës. Kjo është e kuptueshme dhe legjitime. Po ashtu, çdo hap që ndihmon Serbinë të largohet më tej nga ndikimi keqdashës i Rusisë dhe t'i afrohet Evropës është pozitiv”, thuhet në reagim.
“Por çdo angazhim është gjithashtu një mundësi për të çuar përpara një mirëkuptim themelor: Ballkani Perëndimor duhet të ecë përpara, jo prapa”, përfundon Ministria e Jashtme. /A2cnn