Kurti: Zgjerimi ushtarak i Serbisë, pjesë e një strategjie hegjemoniste ndaj Kosovës

Kurti: Zgjerimi ushtarak i Serbisë, pjesë e një strategjie hegjemoniste ndaj Kosovës

Aktuale August 10, 2026 - 11:58

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se zgjerimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë nuk përbën vetëm modernizim të ushtrisë, por është pjesë e një strategjie më të gjerë politike dhe diplomatike të Beogradit, e lidhur me synimet e tij hegjemoniste në rajon, veçanërisht ndaj Kosovës.

Duke folur në edicionin e nëntë të Konferencës së Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kurti tha se zhvillimet gjeopolitike dhe ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor kanë rritur ndjeshmërinë e sigurisë në rajon.

“Zhvillimet gjeopolitike të kohës sonë përfshijnë ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, kanë rritur ndjeshmërinë e sigurisë në rajon. Zgjerimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë nuk është thjesht përpjekje për të modernizuar ushtrinë e saj, por një strategji më e gjerë politike dhe diplomatike e cila lidhet drejtpërdrejt me synimet e saj hegjemoniste karshi rajonit tonë. E veçanërisht Kosovës”, tha Kurti.

Sipas tij, retorika e vazhdueshme e liderëve serbë dëshmon, siç u shpreh ai, vijimësinë e pretendimeve ekspansioniste të Serbisë në rajon.

“Retorika e vazhdueshme e liderëve të saj dëshmojnë vijimësinë e pretendimeve ekspansioniste të Serbisë në rajon, shoqëruar me thirrje për fuqizimin e mëtejshëm të kapaciteteve ushtarake për arritjen e kufijve të saj”, deklaroi ai.

Kurti tha se përballë këtyre zhvillimeve, Kosova ka zgjedhur forcimin e institucioneve demokratike, rritjen e kapaciteteve të sigurisë dhe thellimin e partneriteteve ndërkombëtare.

“Për Kosovën, kjo nënkupton vazhdimësinë e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe aleatët tjerë të cilët ndajnë të njëjtat vlera dhe që mbeten të përkushtuar për të ruajtur një rend ndërkombëtar të bazuar në rregull”, tha kryeministri në detyrë.

Ai e cilësoi partneritetin me NATO-n si një nga shtyllat kryesore të sigurisë së Kosovës, ndërsa praninë e Aleancës në Kosovë dhe rajon e konsideroi faktor kyç për stabilitetin rajonal.

“Partneriteti i Kosovës me NATO-n si dhe angazhimi përmes programeve të ndryshme të bashkëpunimit me aleancën janë shtylla kryesore drejt konsolidimit të kapaciteteve të sigurisë, ndërkaq prania dhe roli i NATO-s në Kosovë dhe rajon mbeten faktorë kyç për ruajtjen dhe garantimin e stabilitetit rajonal”, tha Kurti.

Në fjalën e tij, Kurti u ndal edhe te ndikimi i Rusisë në zhvillimet e sigurisë në rajon dhe më gjerë.

Ai tha se agresioni rus ndaj Ukrainës ka ndryshuar supozimet e mëhershme për paqen dhe stabilitetin në periudhën pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

“Që nga koha e agresionit rus kundër Ukrainës, supozimet e dikurshme mbi paqen dhe stabilitetin të ndërtuara pas përfundimit të Luftës së Ftohtë nuk qëndrojnë më”, deklaroi Kurti.

Sipas tij, konfliktet moderne nuk zhvillohen vetëm në fushëbetejë, por përfshijnë edhe sulmet kibernetike, dezinformimin, propagandën dhe ndërhyrjet politike.

“Përdorimi i forcës ushtarake, kapaciteteve kibernetike, fushatave dezinformuese dhe ndikimit politik të Rusisë te vende të tjera kanë nxjerrë në sipërfaqe natyrën e zhvillimeve të konflikteve moderne”, tha ai.

Kurti u bëri thirrje diplomatëve kosovarë të jenë të përgatitur për përballjen me narrativat e rreme dhe fushatat dezinformuese.

“Si diplomat, shpesh gjendeni në vijën e parë të ballafaqimit me narrativat e rreme. [...] Është tejet e rëndësishme që të identifikoni dhe të kundërshtoni narrativat e rreme. Kjo mund të bëhet më së miri duke ofruar informacion të mbështetur në fakte për arritjet tona, dhe duke u angazhuar me aktorë të ndryshëm jo-shtetërorë edhe në platforma digjitale në kohë reale”, tha Kurti.

Konferenca e Ambasadorëve të Republikës së Kosovës po zhvillohet në kuadër të aktiviteteve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve diplomatikë të Kosovës.