Rreth një mijë raste të dhunës në familje këtë vit
Foto: Laura Hasani

Rreth një mijë raste të dhunës në familje këtë vit

Aktuale August 09, 2026 - 20:38

Rreth një mijë raste të dhunës në familje janë raportuar në Kosovë që nga fillimi i vitit. Por shqetësim mbeten rastet e përsëritura, ku viktimat rikthehen sërish tek institucionet për mbrojtje. Ekspertët thonë se, përveç mbrojtjes së menjëhershme, nevojiten zgjidhje afatgjata për punësim, banim dhe pavarësi ekonomike.

Rreth një mijë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës nga janari e deri më sot.

Shifrat mbeten shqetësuese, ndërsa rastet e përsëritura tregojnë se për një pjesë të viktimave, mbrojtja institucionale nuk po shoqërohet me zgjidhje afatgjata.

Të njohura si raste recidive, këto janë rastet kur viktimat, pas trajtimit apo mbrojtjes institucionale, detyrohen t’u drejtohen sërish institucioneve për shkak të përsëritjes së dhunës.

Albana, emër i ndryshuar nga ne, është një prej tyre.

Për të tetën herë, ajo iu drejtua Policisë së Kosovës për të raportuar dhunën e përsëritur nga bashkëshorti.

“Kom pas dhunë vazhdimisht, prej se jam martu, po që mu ka dasht me e lajmëru policinë u kanë 7-8 herë. Një herë ka qenë në burg, tani është dalë prej burgut. Mo nuk kam leju me shku në burg, për shkak se mu dashke edhe ndihma e tij financiare, se s’mujsha me ja dalë veç vet, se unë jam e papunë, edhe me m’ndihmu për fëmijë, se normalisht fëmija babën e tyne e lypin. Për mua ka pas urdhër mbrojtje. Kur ka dalë prej burgut ka qenë shumë i qetë, se ka qenë nën ndikimin e qetësuesve, por e kanë konstatu edhe prej burgut se nuk është mirë psikikisht. U dasht me shku edhe me u trajtu në psikiatri. Ka pas raste që nuk iu ka përmbajt rregullave, edhe dojsha vet me i dhanë shans, me e pa a po ndryshon, deri sa erdha në një pikë që e pashë se s’po muj më. Tash së fundi, dhuna psikike është në ekstrem edhe i ka dhanë fund. Për jetën e fëmijëve s’kam frikë, për temën po, por në dorë të Zotit”, shprehet viktima. 

Rastet e përsëritura të dhunës janë evidente edhe në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë. Vetëm gjatë këtij viti, në këtë strehimore janë strehuar 71 gra, ndërsa 31 prej tyre kanë kërkuar ndihmë edhe më herët. Për drejtuesit e strehimores, kjo tregon se, krahas mbrojtjes së menjëhershme, viktimave u nevojiten edhe zgjidhje të qëndrueshme, veçanërisht në aspektin e punësimit dhe banimit.

“Nga janari e deri më sot, në strehimoren tonë janë strehuar 71. Gjatë kësaj periudhe të shkurtër, janë 31 raste që kanë kërkuar ndihmë tek ne e që janë recidiviste, që kanë marrë edhe më herët shërbime tek ne. Kjo tregon që nuk po punohet sa duhet prej institucioneve t’u sigurohet atyre një punësim dhe një vendbanim i qëndrueshëm”, thotë Zana Hamiti, Drejtoreshë e Strehimores. 

Se rastet e përsëritura vazhdojnë të jenë shqetësim, e thonë edhe Mbrojtësit e Viktimave. Sipas tyre, një prej vështirësive mbetet mungesa e kapaciteteve për ofrimin e shërbimeve të vazhdueshme për viktimat, veçanërisht për ato që përballen me vështirësi ekonomike.

“Vazhdimisht neve na paraqiten këto raste të reja dhe për mua është shqetësuese nga fakti se ne nuk po mundemi ta kemi kapacitetin për shërbime të përhershme për raste të tilla, tu pas parasysh se rastet recidiviste shumica janë me gjendje ekonomike të vështirë, nuk kanë të punësuar”, deklaron Burhan Maxhuni, Shef i Mbrojtësve të Viktimave.

Për viktimat e dhunës në familje, përballja nuk përfundon gjithmonë me largimin nga dhunuesi.

Varësia ekonomike, mungesa e një banimi të qëndrueshëm dhe pamundësia për të siguruar të ardhura i bëjnë ato më të cenueshme ndaj përsëritjes së dhunës. Prandaj, përveç mbrojtjes së menjëhershme, institucionet përballen me sfidën për t’u siguruar viktimave mundësi për një jetë të pavarur dhe të sigurt. Në të kundërtën, rastet e përsëritura rrezikojnë të vazhdojnë të kthehen në të njëjtat institucione, për të kërkuar sërish mbrojtje. /RTK