Cakolli: Mbyllja e dyerve të sallës plenare, veprim skandaloz – të zbulohet urdhërdhënësi
Foto: Laura Hasani

Cakolli: Mbyllja e dyerve të sallës plenare, veprim skandaloz – të zbulohet urdhërdhënësi

Aktuale August 08, 2026 - 00:03

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka kritikuar veprimin e administratës së Kuevndit me mbylljen e dyerve të sallës plenare për deputetët e partive ish-opozitare.

Këtë veprim, ai e quajti “skandaloz” dhe të “papranueshëm”.

“Absolutisht skandaloze dhe e papranueshme që deputetëve t’u mbyllet dera e sallës plenare dhe, rrjedhimisht, t’u pamundësohet fizikisht ushtrimi i funksionit”.

Përmes një postimi në Facebook, Cakolli fajtor për këtë veprim e bëri kryesuesin e Seancës Konstituive, Avni Dehari, për të cilin tha se “nuk ka kurrfarë autoriteti mbi hapjen, mbylljen apo qasjen fizike në sallë”.

“Kompetenca e tij kufizohet në drejtimin e punimeve të seancës. Administrata, ndërkaq, ekziston për t’i mbështetur deputetët dhe për t’ua mundësuar ushtrimin efektiv të mandatit, jo për t’i penguar ata”, shkroi më tej Cakolli.

Ai kërkoi që të dihet se “kush e mori këtë vendim dhe sipas urdhrit të kujt veproi Administrata”.

“Rasti kërkon llogaridhënie, përgjegjësi institucionale dhe disiplinore, e madje, sipas rrethanave, vlerësimin edhe të çdo përgjegjësie tjetër ligjore. Këto pamje nuk i përkasin një shteti demokratik. Tek e fundit, salla plenare i përket vetëm dhe vetëm deputetëve të Kuvendit”, potencoi Eugen Cakolli.