BIK inauguron Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gurakoc, do t’u shërbejë rreth 5 mijë banorëve

BIK inauguron Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gurakoc, do t’u shërbejë rreth 5 mijë banorëve

Aktuale August 07, 2026 - 23:03

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka inauguruar sot Qendrën e re të Mjekësisë Familjare në Gurakoc të Istogut.

Ky projekt është financuar nga Hessa Ishaq Ibrahim el Hajri nga “Zakat House” në Kuvajt, ndërsa objekti i ri përfshin hapësirat e Qendrës së Mjekësisë Familjare, pajisjet mjekësore dhe inventarin e nevojshëm për funksionimin e saj.

Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë kryetari i BIK-ut, Myftiu Naim ef. Tërnava, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, bashkëpunëtorë të tij, si dhe stafi shëndetësor i Qendrës.

Myftiu Tërnava u shpreh i kënaqur me përfundimin e projektit, duke paralajmëruar se BIK-u së shpejti do të nisë edhe ndërtimin e objekteve të tjera shëndetësore.

Ndërkaq, kryetari i Istogut, Ilir Ferati, e vlerësoi projektin si të rëndësishëm për banorët e Gurakocit dhe fshatrave përreth, duke theksuar nevojën për ofrimin e shërbimeve shëndetësore sa më afër qytetarëve.

Drejtori i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Gurakoc, Mujë Osmanaj, falënderoi BIK-un për ndërtimin dhe funksionalizimin e objektit.

Sipas BIK-ut, Qendra e re do t’u shërbejë rreth 5 mijë banorëve të Gurakocit dhe zonave përreth.

Bashkësia Islame e Kosovës ka bërë të ditur se QKMF-ja në Gurakoc është objekti i 86-të shëndetësor që është ndërtuar ose restauruar nga BIK-u në kuadër të projekteve të saj në fushën e shëndetësisë./Zëri