Kryeziu-Hyseni: Opozita po qëndron sonte në Kuvend, sepse e di që nuk do të ketë zhvillim
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka reaguar lidhur me situatën në Kuvendin e Kosovës pas mbledhjes së nënshkrimeve për vazhdimin e seancës konstituive sonte e jo nesër siç e ka thirrur kryesuesi i saj.
Kryeziu-Hyseni bën të ditur se rreth orës 18:00 të gjithë deputetët kanë marrë ftesën për pjesëmarrje në vazhdimin e seancës, e cila është caktuar të mbahet nesër në ora 11:00.
Ajo ka krahasuar situatën aktuale me 27 dhe 28 prillin, ditët kur u mbajtën seancat për zgjedhjen e presidentit të Kosovës teksa thekson se sonte opozita po qëndron në Kuvend sepse, sipas saj, e di që prania e saj aty “nuk prodhon asgjë”.
“A ju kujtohet 27 dhe 28 prilli? Dy ditët e seancave për zgjedhjen e presidentit? Asnjë deputet i opozitës nuk ishte në sallë plenare. Vetëm deputetët e Lëvizjes qëndruan deri në mesnatë, për të shterruar afatin e përcaktuar. Po e përsërisë. Asnjë deputet i opozitës nuk gjendej as në Kuvend dhe aq më pak në sallë. Ama po rrinë sonte. Sepse e dijnë që qëndrimi i tyre aty, nuk prodhon asgjë. Se po ta kishin ditur që do të ketë ndonjë zhvillim, do të ishin strukur, siç dijnë të bëjnë më së miri”, ka shkruar ajo.