Avokati i familjes kërkon informata për zbardhjen e aksidentit me tre të vdekur në Shkup

Avokati i familjes kërkon informata për zbardhjen e aksidentit me tre të vdekur në Shkup

Aktuale July 29, 2026 - 10:27

Avokati Arianit Koci, që përfaqëson familjet Tërnava dhe Shabani, ka kërkuar ndihmë nga kushdo që ka informacione për rrugën në të cilën vdiq tre kosovarë në Shkup para 11 ditësh.

Ejup Tërnava, Xhenet Tërnava dhe Fatmir Shabani nga Vushtrria vdiqën pasi vetura e tyre u rrokullis në një segment të autostradës Shkup – Bllacë. Sipas raportimeve, vetura u fut në një rrugë që ishte e papërfunduar. Ata dyshohet se u aksidentuan më 18 korrik, ndërsa vetura bashkë me trupat u gjet një ditë më vonë.

Në një postim në Facebook sot, Koci ka shtruar disa pyetje për të cilat po kërkon përgjigje.

“Kushdo që ka informata lidhur me aksidentin tragjik në segmentin e autostradës Shkup–Bllacë, ku humbën jetën Ejup Tërnava, Xhenet Tërnava dhe Fatmire Shabani, do të më ndihmonte shumë nëse më kontakton me shkrim. Si avokat i familjeve të viktimave, në veçanti më intereson të di: – Kush ka qenë ndërtuesi i këtij segmenti? – Kush e ka mbikëqyrur ndërtimin? – Kush ka qenë përgjegjës për sigurimin e segmentit?”, ka shkruar Koci.

Sipas Kocit, segmenti ka qenë zyrtarisht i mbyllur për qarkullim. Në momentin e aksidentit, siç shkruan avokati, hyrja nga e cila automjeti ka hyrë në këtë segment nuk ka qenë e mbyllur fizikisht. E sipas tij, rreth 300 metra më poshtë ndodhet një hyrje tjetër në të njëjtin segment, e cila ka qenë e mbyllur fizikisht.

“Prandaj, është e rëndësishme të sqarohet: – Pse dy hyrjet e të njëjtit segment nuk kanë qenë të siguruara në të njëjtën mënyrë? – A ka qenë hyrja ku ka kaluar automjeti e mbyllur fizikisht në ditët apo javët para aksidentit? – Nëse po, deri kur dhe kur ka ndryshuar kjo gjendje? – Kush e ka bërë mbylljen fizike të kësaj hyrjeje pas aksidentit, kur dhe me urdhër të kujt?”, ka shkruar ai.

Koci ka bërë apel që nëse dikush ka fotografi, video, dokumente apo çfarëdo informate tjetër që mund të ndihmojë në zbardhjen e këtij rasti, t’ia dërgojë me shkrim, në cilëndo formë.

“Të gjitha informatat relevante do t’ia përcjell Prokurorisë kompetente në Maqedoninë e Veriut, për t’u trajtuar në kuadër të procedurës”, ka shkruar tutje Koci.