Rama pas reagimit të Xharrës për rastin “Lule Gjeli”: Po ndërpresim marrëveshjen për shfrytëzimin e hapësirës publike në Grand Hotel
Foto: Laura Hasani

Rama pas reagimit të Xharrës për rastin “Lule Gjeli”: Po ndërpresim marrëveshjen për shfrytëzimin e hapësirës publike në Grand Hotel

Aktuale July 27, 2026 - 19:10

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas deklaratës së drejtoreshës ekzekutive të BIRN-it, Jeta Xharra, lidhur me rastin “Lule Gjeli”, duke thënë se ajo nuk ka dhënë sqarime për çështjen kryesore dhe se reagimi i saj ka ngritur edhe më shumë pikëpyetje.

Përmes një postimi në Facebook, Rama tha se deklarata se identiteti i personit dihet, por nuk bëhet publik, ngre dyshime për transparencën e rastit.

“Jeta Xharra nuk paske dhënë asnjë sqarim për çështjen thelbësore. Përkundrazi, reagimi si i tillë ngriti edhe më shumë pikëpyetje. Deklarata se ‘e dimë kush është, por nuk e tregojmë’ është pikërisht ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese. Nëse identiteti dihet, atëherë shtrohet një pyetje e thjeshtë: Kënd po e mbroni?”, shkroi Rama.

Ai tha se, derisa këto pyetje të mbesin pa përgjigje, Komuna e Prishtinës nuk mund të veprojë sikur nuk ka ndodhur asgjë.

“Përderisa këto pyetje mbesin pa përgjigje, si Kryeqytet nuk mund të sillemi sikur nuk ka ndodhur asgjë”, theksoi ai.

Rama bëri të ditur se Komuna ka vendosur ta ndërpresë marrëveshjen për shfrytëzimin e një hapësire publike në Grand Hotel.

“Prandaj, sot ju kemi dërguar njoftimin zyrtar për ndërprerjen e marrëveshjes për shfrytëzimin e hapësirës publike në Grand Hotel”, deklaroi ai.

Sipas kryetarit të Prishtinës, institucioni që ai drejton nuk mund të lejojë që hapësirat publike të përdoren nga organizata që, sipas tij, cenojnë interesin publik dhe nuk tregojnë transparencë.

“Nuk mund të lejojmë që hapësirat publike, të cilat janë pronë e qytetarëve të Prishtinës, të shfrytëzohen nga organizata që, me veprimet e tyre, cenojnë interesin e qytetarëve dhe refuzojnë transparencën për çështje që lidhen drejtpërdrejt me besimin e publikut”, u shpreh Rama.

Ai paralajmëroi gjithashtu se Komuna do të shqyrtojë edhe marrëveshjet e tjera për përdorimin e hapësirave publike.

“Në ditët në vijim do të rishqyrtojmë edhe çdo marrëveshje tjetër për shfrytëzimin e hapësirave publike që janë ndarë e financuar nga Kryeqyteti”, shtoi Rama.