Kurti: Janë dokumentuar 12.230 viktima të luftës në Kosovë, mbi 1.000 ishin fëmijë
Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) ka publikuar raportin e parë me listën preliminare të personave të vrarë, të zhdukur me dhunë dhe atyre që kanë vdekur si pasojë e luftës në Kosovë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se për periudhën 1 janar 1998 – 20 qershor 1999 janë dokumentuar 12.230 viktima të luftës, duke theksuar se raporti do të përditësohet vazhdimisht me të dhënat e reja që do të sigurojë Instituti.
"Ky raport është dëshmi institucionale e çmimit të lartë të lirisë që e gëzojmë sot. Ai përfaqëson njerëz, jetë, familje dhe histori që nuk mund të reduktohen në numra, por që shteti ka detyrim t'i dokumentojë me saktësi, dinjitet dhe përgjegjësi", tha Kurti.
Ai veçoi se ndër viktimat e dokumentuara janë edhe 1.047 fëmijë të vrarë të moshës 0-17 vjeç, 94 fëmijë që kanë vdekur si pasojë e kushteve të luftës, ndërsa 100 fëmijë vazhdojnë të figurojnë të zhdukur me dhunë.
"Kjo është një plagë e thellë për shoqërinë tonë dhe një akuzë e përhershme kundër barbarisë së luftës. Është detyrë e shtetit që e vërteta të dokumentohet, drejtësia të kërkohet dhe kujtesa të ruhet", u shpreh ai.
Kurti shtoi se 9.948 persona, ose 81,3 për qind e të gjitha viktimave të dokumentuara, u vranë gjatë periudhës mars-qershor 1999, duke e cilësuar atë si fazën më të rëndë të krimeve të luftës.
Lista preliminare përfshin 13.227 persona
Drejtori i IKKL-së, Atdhe Hetemi, bëri të ditur se lista preliminare përfshin gjithsej 13.227 persona të vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të vdekur si pasojë e luftës.
Sipas tij, nga ky numër:
12.230 persona janë vrarë gjatë periudhës së luftës (1 janar 1998 – 20 qershor 1999);
997 persona janë vrarë në periudhën e pasluftës, nga 21 qershori 1999 deri më 31 dhjetor 2000.
Hetemi sqaroi se raporti aktual përfshin vetëm tri kategori të viktimave – personat e vrarë, të zhdukurit me dhunë dhe ata që kanë vdekur si pasojë e luftës – ndërsa kategoritë e tjera do të trajtohen në fazat e ardhshme të dokumentimit.
Ai theksoi se Instituti ka zbatuar një proces të detajuar të verifikimit individual të secilit rast dhe se 267 raste të evidentuara në lista të mëhershme nuk janë përfshirë në raport, pasi nuk i plotësojnë kriteret metodologjike të përcaktuara ose kanë ndodhur jashtë territorit të Kosovës, pa lidhje të dokumentuar me luftën në vend.