Maqedonci: Forcimi i kapaciteteve të FSK-së për operacionet paqeruajtëse mbetet prioritet
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se forcimi i kapaciteteve profesionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në fushën e operacioneve paqeruajtëse mbetet një nga prioritetet e Ministrisë së Mbrojtjes.
Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci njoftoi se majori Driton Haxhiaj ka përfunduar me sukses Kursin e Komandantit të Kontingjentit të Operacioneve Paqeruajtëse, të organizuar nga Qendra Japoneze për Trajnim dhe Kërkim për Operacionet Paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara (UNTRC), në Tokio të Japonisë.
“Forcimi i kapaciteteve profesionale të FSK-së në fushën e operacioneve paqeruajtëse është një nga prioritetet e Ministrisë së Mbrojtjes”, ka shkruar Maqedonci.
Ai theksoi se përfundimi i këtij trajnimi përfaqëson një hap të rëndësishëm në ngritjen profesionale të kuadrove të FSK-së.
“Major Driton Haxhiaj ka përfunduar me sukses Kursin e Komandantit të Kontingjentit të Operacioneve Paqeruajtëse, të organizuar nga Qendra Japoneze për Trajnim dhe Kërkim për Operacionet Paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara (UNTRC), në Tokio, Japoni”, ka shkruar ai.
Sipas Maqedoncit, ky trajnim do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e aftësive udhëheqëse dhe përgatitjen e personelit të FSK-së për misione ndërkombëtare.
“Ky trajnim kontribuon në zhvillimin e mëtejshëm të lidershipit dhe përgatitjes profesionale të kuadrit të FSK-së për angazhime në operacione ndërkombëtare të paqes”, ka përfunduar ai.