Bajrami: LDK-ja duhet të ndryshojë që të ringritet, Kuvendi të mos shihet si përballje mes njerëzve
Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka bërë thirrje për ndryshime në parti para Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së, duke theksuar se ky proces duhet të shihet si një vendim për të ardhmen e partisë dhe jo si një përballje mes individëve.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami tha se Kuvendi nuk do të përcaktojë se kush është me ose kundër kryetarit aktual, por se “kush është me LDK-në”.
“LDK-ja duhet të ndryshojë, që të ringritet. Këtë të enjte, Lidhja Demokratike e Kosovës, shtëpia jonë politike, do të përballet me një prej vendimeve më të rëndësishme për të ardhmen e saj. Kuvendi nuk duhet të shihet si përballje mes njerëzve, por si një vendim për të ardhmen tonë të përbashkët. Në Kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së nuk do të vendoset se kush është me kryetarin aktual dhe kush kundër tij, as kush është me LVV-në e kush me PDK-në. Kuvendi do të tregojë se kush është me LDK-në”, shkroi ajo.
Bajrami ngriti pyetjen nëse anëtarësia është e kënaqur me gjendjen aktuale të partisë, duke argumentuar se rezultatet zgjedhore flasin vetë.
“A jemi të kënaqur me gjendjen ku ndodhet LDK-ja sot? Nëse përgjigjja është ‘jo’, atëherë duhet të kemi guxim për ndryshim. Nga viti 2021, LDK-ja ka kaluar nëpër tri palë zgjedhje dhe në të tria ka përfunduar si partia e tretë. Nuk kemi shënuar fitore as në nivelin lokal. Këto nuk janë opinione. Nuk janë interpretime. Janë rezultate. Kur rezultatet mungojnë një herë, mund të flitet për rrethana. Kur mungojnë vazhdimisht, përgjegjësia nuk mund t’u mvishet më rrethanave”, deklaroi ajo.
Deputetja rikujtoi se pas humbjes në zgjedhjet e dhjetorit 2025 kishte kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë dhe kishte dhënë dorëheqje edhe nga posti i nënkryetares.
“Pas humbjes në zgjedhjet e dhjetorit 2025, i kam kërkuar dorëheqjen kryetarit të partisë dhe në të njëjtën kohë, kam dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetares. Pra, nuk kam kërkuar nga ai atë që nuk kam qenë e gatshme ta bëj vetë. Sepse përgjegjësia politike nuk është dënim. Është standard demokratik dhe respekt ndaj anëtarësisë dhe votuesit”, u shpreh Bajrami.
Ajo theksoi se LDK-së i nevojitet një model i ri udhëheqjeje, që bashkon dhe respekton mendimin ndryshe.
“Sot, LDK-së i duhet një mënyrë e re udhëheqjeje, jo thjesht zëvendësimi i një emri me një emër tjetër. Një udhëheqje që bashkon e nuk ndan. Që dëgjon e nuk hakmerret. Që vlerëson mendimin ndryshe e nuk e trajton atë si mosbesnikëri. Që e njeh meritën, punën dhe kontributin. Që i çmon më shumë qëndrestarët sesa turistët politikë”, shkroi ajo.
Bajrami theksoi gjithashtu se LDK-ja nuk duhet të jetë shtojcë e asnjë partie tjetër dhe duhet të synojë fitoren në zgjedhje.
“LDK-ja nuk duhet të jetë rezervë për askënd. LDK-ja nuk duhet të jetë shtojcë as e LVV-së, as e PDK-së, as e AAK-së dhe as e ndonjë grupimi tjetër politik. LDK-ja nuk duhet të hyjë në zgjedhje duke menduar se partner i kujt do të bëhet pas humbjes. LDK-ja duhet të hyjë në zgjedhje për të fituar”, deklaroi ajo.
Në fund, Bajrami tha se ndryshimi në parti është kusht për t’i ofruar Kosovës një alternativë të besueshme qeverisëse.
“Por, për t’ia ofruar këtë alternativë Kosovës, LDK-ja së pari duhet të ndryshojë vetë. Nuk mund të kërkojmë meritokraci në shtet, nëse nuk e zbatojmë në parti. Nuk mund të flasim për demokraci, nëse çdo mendim ndryshe shpallet armiqësi. LDK-ja nuk është pronë e askujt. Ajo u përket anëtarëve, veprimtarëve dhe votuesve të saj. LDK-ja duhet të ndryshojë, që të ringritet. Duhet të bashkohet, që të fitojë. Dhe duhet të fitojë, që t’i shërbejë Kosovës”, shtoi ajo.