Sopi: Çdo vendim tjetër përveç lirimit ndaj katërshës së UÇK-së, do të ishte në kundërshtim me drejtësinë ndërkombëtare
Foto: Laura Hasani

Sopi: Çdo vendim tjetër përveç lirimit ndaj katërshës së UÇK-së, do të ishte në kundërshtim me drejtësinë ndërkombëtare

Aktuale July 26, 2026 - 10:23

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Fatmir Sopi, në një intervistë për Ekonomia Online, e ka cilësuar procesin gjyqësor në Hagë si një dramë të pamerituar për UÇK-në, luftën dhe krerët e saj.

Ndërsa, për verdiktin final ndaj katërshës së UÇK-së, i cili është caktuar më 16 shtator, ka thënë se presin vendim lirues.

“Ne i kemi pasur pakënaqësitë tona, të cilat i kemi shprehur nëpërmes demonstratave, protestave, pakënaqësive tona në forma të ndryshme, mirëpo megjithatë është një proces që po zgjat tash gjashtë vite, është në fund ky proces, kjo dramë, e cila është e pamerituar për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për luftën tonë dhe për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ne tani jemi duke pritur verdiktin e asaj gjykate, i cili mendojmë se duhet të jetë verdikt lirues për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse ata janë të pafajshëm, sepse kanë bërë vetëm luftën e drejtë dhe çlirimin e vendit të vet. Prandaj, çdo vendim tjetër është ndesh me drejtësinë ndërkombëtare, është ndesh me luftën tonë çlirimtare dhe është në kundërshtim me aspiratat e popullit tonë, që të jenë pjesë e Evropës së Lirë”, u shpreh ai.

Sopi vlerëson se institucionet e Kosovës kanë mundur të bëjnë më shumë për të mbështetur ish-krerët e UÇK-së, në Hagë.

“Nuk është mjaftueshëm kurrë të bëhet për ata njerëz përderisa janë në Hagë, unë jam i bindur se shteti ynë ka mundur të bëjë edhe shumë, siç jemi angazhuar ne si organizatë e veteranëve, që kemi luajtur rolin edhe të diplomatëve, duke u takuar me ambasadorë të vendeve mike, që janë në vendin tonë, duke dërguar letra dhe kërkesa në Parlamentin Evropian, duke iu dërguar kërkesë të gjithë anëtarëve të Parlamentin Evropian, që të merren me këtë çështje, që të merren thjesht me atë gjykatë, e cila për ne është e padrejtë, më tepër është politike, sesa që do të ndahej drejtësi”, tha ai.

Nënkryetari  i OVL-UÇK u shpreh se janë të bindur se gjykata nuk do të bie pre e mashtrimeve, por do të marrë vendim të duhur.

“Megjithatë jam i bindur që trupi gjykues nuk do të bie pre e atyre akuzave që janë të fabrikuara nga Moska dhe Beogradi, dhe nga disa shqiptarë, të cilët për qëllime të tyre, qoftë përfitimeve të tyre personale, ose qëllimeve që kanë ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndaj luftës sonë, sepse iu është prishur rehatia, sepse kanë pasur ndoshta pozita të mira në kohën e pushtimit, sa ka qenë nën Serbi. Prandaj, jemi të bindur se gjykata nuk do të bie pre e këtyre mashtrimeve, pre e këtyre akuzave të pabaza, por do të merr vendim të duhur duke u bazuar edhe në dëshmitë që kanë dhënë shumë përfaqësues të shtetit amerikan, të cilët kanë qenë protagonistë të ngjarjeve dhe të cilët e kanë thënë të vërtetën mbi bashkëpunimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me botën diplomatike dhe me NATO-n, për t’u arritur fitorja, liria e popullit tonë, të cilën e gëzojmë të gjithë”, tha ai.

Ndërsa, sa i përket sfidave të veteranëve, Sopi theksoi se disa nga to janë sfidat shëndetësore dhe ekonomike.

“Veteranët që nga paslufta janë përballur me sfida nga më të ndryshmet, duke përfshirë sfidat shëndetësore, ekonomike, të mbijetesës, ata pas lufte një pjesë e madhe kanë pasur edhe familje të ngushtë, fëmijë, edhe para lufte, por pjesa tjetër janë martuar, kanë krijuar familje, dhe normal janë përballur me sfida të ndryshme, sidomos të natyrës ekonomike. Kështuqë, shteti nuk ka bërë mjaftueshëm, duke pasur parasysh se veteranët sot e gëzojnë një përkrahje, ndihmë sociale, ku në një fazë të caktuar, parlamenti ynë në bashkëpunim me Listën Serbe ka votuar që as në pagën minimale të mos jetë përkrahja për veteranët dhe të hiqet nga ajo pagë minimale, ku tani veç është 500 euro, ndërsa përkrahja për veteranin e luftës është 204 euro”, tha ai.

Sopi kritikoi ndryshimet ligjore, që sipas tij, e shkëputën pensionin e veteranëve nga paga minimale.

“Është dashur të zbatohet ligji, të paktën, edhe pse ai ligj për neve ka qenë jo dinjitoz, sepse veterani ose përkrahja e tij nuk duhet të jetë në pagën minimale, por të paktën pagën mesatare, por megjithatë edhe ajo që ka qenë e garantuar me ligj, është bërë një ligj tjetër dhe është hequr nga ajo pagë minimale”, tha ai.

Sipas Sopit, mungesa e institucioneve të konsoliduara ka penguar adresimin e kërkesave të veteranëve.

“Nuk ka insititucione valide, të gjithë janë ushtrues të detyrës, që nga ushtuesja e detyrës së presidentes, e deri te i fundit, të legjislaturës së kaluar, e cila u shpërnda ia kemi drejtuar kërkesat tona, të cilat janë bazike për veteranët. Një prej kërkesave tona ka qenë miratimi sa më shpejtë i ligjit për vlerat e luftës. Miratimi i një ligji të tillë do ta ndalonte fyerjen, maskaradën që bëhet qoftë në rrjete sociale, qoftë në media, qoftë në publik. Kërkesa tjetër ka qenë, që ia kemi dorëzuar parlamentit, që tanimë është jo funksional, është që paga e veteranit urgjentisht të kthehet të paktën në nivelin që ka qenë e lidhur me pagën minimale në Kosovë”, tha ai.